“Mendo për kokën tënde se…”/ Dumani ia kthen ashper Berishës për rastin “Balluku”: As mos ta mendoje kush qe

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishanit, ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ka folur për menaxhimin e informacionit në dosjet e ndjeshme.

Dumani u dha fund edhe zërave për një kërcënim të mundshëm ndaj prokurorit që ndjek çështjen e Zëvendëskryeministres. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për Prokurorin Prençi, si dhe për të gjithë prokurorët e tjerë.

“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.

Ai shtoi se prokurori Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, qoftë nga Kryeministri apo kushdo tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.

-Ka një akuzë nga zoti Berisha që ju keni intimiduar prokurorin Prençi pikërisht për episodin Balluku. Madje edhe me një frazë konkrete që besoj e keni dëgjuar, ‘mendo për kokën tënde’. Qëndron realisht, e keni intimiduar prokurorin?

Tani, thashë, nuk i komentoj deklaratat politike, por ajo që them është kjo që, e para, prokurorët e posaçëm janë të pavarur. Ata janë zot të çështjes. Ata janë persona që vendosin për fatin e hetimeve, të procedimit që kanë në ndjekje. Unë si prokuror, si drejtues i prokurorisë së posaçme, më fal, si drejtues i prokurorisë së posaçme, kam ofruar për prokurorin e çështjes në rastin konkret, por edhe për të gjithë prokurorët e prokurorisë së posaçme, gjithmonë, mbështetjen time, solidarizimin tim me ta dhe sa herë ka qenë e nevojshme edhe ndihmën time duke u përfshirë dhe në hetime konkrete. Në rastin konkret, asgjë nuk qëndron, asgjë nuk është e vërtetë. Prokurori Prençi ka patur dhe ka mbështetjen time për hetimin jo vetëm të kësaj çështje, por edhe të të gjithë çështjeve që ai ndjek.

-Nuk qëndron as interferenca e mundshme e kryeministrit, për të cilin gjithashtu është folur për rastin Balluku dhe prokurori Prençi?

Unë kam kontakt të shpeshtë me zotin Prençi, jemi zyra përballë. Ne komunikoj shpesh, tre, katër herë në ditë, për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera dhe deri në këtë moment nuk më ka shprehur asnjë shqetësim lidhur me kërcënimet e mundshme nga kushdo qoftë ai.

-Po flasim për episodin konkret apo në tërësi?

Në episodin konkret. Për episodin konkret po flas. Nuk më ka shprehur asnjë shqetësim, nuk më ka prezantuar asnjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, jo vetëm nga kryeministri, po nga kushdo tjetër. Nga ana tjetër dua të them, ne prandaj jemi prokurorë të SPAK. Ne jemi, duhet të jemi të përgatitur edhe për kërcënime, edhe për kanosje, por edhe për përbaltje, siç edhe ndodh shpesh. Dhe ne kemi maturinë e duhur, pjekurinë e duhur për t’i trajtuar çështjet duke u bazuar vetëm në ligj dhe në prova. Gjithashtu, ne kemi instrumentet e nevojshme për të reaguar në rast se ka komunikime që kalojnë, që tejkalojnë ligjin dhe në çdo rast e garantoj, nëse ka komunikime të tilla, ne ndërmarrim veprimet konkrete që ligji i parashikon, duke ju shkuar deri në fund. Për të ardhur sërish te zoti Prençi, ai gëzon mbështetjen time të plotë, të cilën e kam demonstruar gjatë gjithë kohës, sidomos edhe në hetimin e kësaj çështje, dhe i kam qenë pranë dhe do vazhdoj të ngelem pranë tij dhe ta mbështes në çdo moment.