Problemi më i madh që ka Partia Demokratike me elektoratin nuk është vetëm organizativ, por moral.
Komprometimi i funksionarëve të saj me pushtetin, përmes marrjes së lejeve ndërtimi për kulla, pallate, fshatra turistike apo për biznese të tjera të lidhura me pushtetin, e ka zhvendosur PD-në nga beteja për interesat publike drejt një pazari të heshtur me qeverinë.
Një nga shembujt më domethënës të këtij fenomeni është ish-deputeti i Vlorës, Arbi Agalliu, krahas krerëve të partisë, i cili në tetor 2021 publikisht akuzonte ministren Belinda Balluku për paracaktimin e fituesit të tenderit të tunelit të Llogarasë. Por vetëm pak muaj më vonë, në janar 2022, e njëjta Balluku e përshkruan Agalliun si “shumë të dashur, shumë të mirë, djalë qytetar”.
Në një postim publik në “Facebook”, Agalliu shkruante në tetor 2021:
“Shoh në LinkedIn të CEO-s së kompanisë foto me kryeministrin dhe ministren, katër muaj përpara se të shpallet fituesi i tenderit. Pyetja është: a keni takuar ndonjë drejtues tjetër të kompanive që kanë aplikuar për tender dhe a keni bërë foto? Edhe pse në të drejtën e tij, nuk duket etike që një sipërmarrës të mbajë foto profili me kryeministrin e vendit. A mos vallë kjo është kthim qoke, bashkë me dronat, për spitalin ‘dhuratë’?”
Në atë kohë, Agalliu ishte një nga zërat më kritikë ndaj Ballukut, duke kërkuar transparencë për tenderin që më pas do të rezultonte një nga çështjet më të diskutuara publike.
Vetëm tre muaj më pas: “Djalë i dashur, qytetar”
Në dosjen hetimore të SPAK që ka parë Skyweb.al janë zbardhur mesazhet e shkëmbyera mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit më datë 27 janar 2022, që tregojnë një marrëdhënie krejt tjetër me të njëjtin Arbi Agalliu, tashmë të përfshirë në komunikime për leje ndërtimi në Vlorë.
Belinda Balluku: “Do të të marr për një takim Arber Agalliun, dep i PD që ka nja dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrimi shumë i dashur, shumë i mirë se është djalë qytetar.”
Evis Berberi: “Patjetër. E kemi patriot.”
Belinda Balluku: “Por ne nuk kemi ça i bëjmë, të marrë lejen e ndërtimit nga bashkia, atëherë shprehemi.”
Evis Berberi: “Ok. Ne japim mendim pasi ka marrë leje.”
Më pas, Agalliu vetë kontakton Berberin përmes numrit që, siç thotë ai, “ia kishte dhënë Belinda”.
Arbi Agalliu: “Evis si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj të jesh mirë. Belinda ma dha nr tënd. Kur të kesh mundësi do doja të flisnim pak.”
Evis Berberi: “Mirëmbrëma, nesër në mëngjes.”
Të nesërmen, Berberi e telefonon dhe më pas e takon, siç rezulton nga mesazhet pasuese.
Agalliu: “Mirëmëngjes! Unë për pak jam aty. Jam në trafik poshtë digës.”
Berberi: “Pa prob.”
Më vonë, Berberi i raporton Ballukut: “Se përcolla Agalliun.”
Si kaloi ish-deputeti denoncues i PD-së, nga akuzat për paracaktim tenderash, në takime miqësore për leje ndërtimime ministren që akuzonte?
Çfarë ka bërë Arbi Agalliu që të fitojë kaq shpejt respektin dhe “dashurinë” politike të Ballukut dhe Berberit, vetëm pak muaj pasi e denonconte publikisht për abuzime në tenderin e tunelit të Llogarasë? /skyweb.al




