Nipi i patriotit Hilë Mosi dhe nxënës i Gjergj Fishtës! Ndahet nga jeta artisti i madh shqiptar

Pirro Mosi, një nga figurat më të dashura e më të ndritura të Sarandës, ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare. Me aparatin në dorë, ai nuk fotografonte pamje — por njerëz, ndjenja dhe kohë që nuk kthehen më.

I lindur në Shkodër dhe i vendosur në qytetin e bukur buzë bregut të jugut, Pirro e gjeti frymëzimin e tij në dritë dhe për gati një shekull i dha kujtesë vizuale Sarandës.

Në çdo foto të tijën, jeton historia e Sarandës, portretet, deti, estrada, teatri. Pirro Mosi ishte syri që pa gjithçka dhe zemra që ruajti çdo kujtim.

Me largimin e tij, Saranda humbi një njeri të mirë dhe një dëshmitar të rrallë të historisë së saj. Por drita që ai fiksoi mbetet përjetë — në kujtime, në foto, në shpirtin e këtij qyteti, njofton portali i qytetit Saranda Web.

Ai ishte nipi i Hilë Mosit, fotografi i zbulimeve arkeologjike të Dhimosten Budinës, nxënësi i Gjergj Fishtës, dhuruesi i arkivit të tij personal fotografik Muzeut Kombëtar “Marubi”, ish-aktor e ish-regjisor, dashnor i teatrit, njeri i lirë.

Pirro Mosi u largua nga Shkodra në moshën 7 vjeçare atëherë kur i ati i tij ai u caktua në një detyrë tjetër në Postën e Tiranës, Elbasan e për tu vendosur më pas në atë të Sarandës. Me një aktivitet mbi 40 vjeçar, ai ishte fotografi më i njohur i Sarandës dhe arkivi i tij konsiderohet një pasuri e veçantë për fotografinë shqiptare.

Prej vitesh, Pirro Mosi jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ama nuk e harronte kurrë atdheun dhe vinte shpesh në Shqipëri.