Në një kohë kur Tirana është duke “valuar” nga lajmet për dorëheqjen e numrit dy të qeverisë Rama, zv.kryeministres Belinda Balluku, kjo e fundit është duke vijuar me axhendën e saj duke çuar përpara projektet dhe forcuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët.
Këtë të premte ajo është shfaqur në Athinë, në krah të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të forumit të “Partneriteti për Bashkëpunim Transatlantik në Energji”.
Takim i nivelit të lartë, i organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë në Këshillin Atlantik, mblodhi në një tryezë Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, si dhe ministrat e energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Në këtë forum, ku u diskutua mbi sfidat e sigurisë energjitike dhe diversifikimin e burimeve në kontinent, Balluku ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë pjesë aktive e përpjekjeve europiane për reduktimin e varësisë nga gazi rus dhe zhvillimin e korridoreve të reja të furnizimit.

Sipas saj, bashkëpunimi rajonal dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore janë thelbësore për garantimin e një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme e të sigurt, dhe për këtë arsye shtoi se Shqipëria do të mbetet e vendosur në kontributin e saj në ndërtimin e kësaj arkitekture të re.
Pasditen e 31 tetorit, pak pasi zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK publikoi një njoftim zyrtar ku bëri të ditur akuzën që iu komunikua numrit dy të qeverisë shqiptare.
Sipas këtij njoftimi, ndaj Ballukut është ngritur akuza për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Menjëherë pas daljes nga ambientet e Strukturës së Posaçme, Balluku iu drejtua shkurtimisht mediave, duke theksuar se i beson plotësisht drejtësisë dhe se do të jetë ajo që do të flasë në fund.
“Si qytetare dhe si zyrtare publike, e kam parë këtë thirrje si një proces që duhet të zhvillohet me transparencë dhe llogaridhënie. Besoj fuqishëm se gjithçka do të ndodhë sipas parimeve të drejtësisë, të cilave u qëndroj besnike,” u shpreh ajo.
Pas zhvillimeve të fundit dhe njoftimit të SPAK, në Tiranë nisën të qarkullojnë zëra për një dorëheqje të mundshme të saj, ku eksponentë të opozitës kanë kërkuar largimin e saj. Megjithatë, pamjet nga Athina e tregojnë zv.kryeministren aktive dhe të angazhuar në vijën e parë të diplomacisë ekonomike dhe energjetike, në një skenë ku debatet e ditës politike lënë vend për strategjitë afatgjata dhe projektet e së ardhmes.




