Tr*gjike në Shkodër! Po rregullonte kabujt e internetit, vd*s nga korenti trajneri i njohur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në qytetin e Shkodrës, ku një punonjës i një kompanie interneti ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike gjatë punës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 10:25 në lagjen “Salo Halili”, shtetasi Arvjo Fishta, 38 vjeç, ishte duke kryer punime në një shtyllë elektrike për riparimin e një kablli interneti, kur dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Për pasojë, ai është goditur rëndë dhe ka humbur ndjenjat në vendngjarje.

Menjëherë pas incidentit, 38-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Policia bëri të ditur se grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërkohë që po verifikohen edhe procedurat e sigurisë në punë të kompanisë ku ishte i punësuar viktima.

Arvjo Fishta ishte baba i dy fëmijëve dhe njihej si një djalë i përkushtuar, i qetë dhe i respektuar në komunitetin shkodran, madje ish trajner i Portiereve te Vllaznise. Miqtë dhe bashkëqytetarët e kanë përshkruar si një njeri punëtor dhe shembullor, ndërsa lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur thellë familjen, kolegët dhe miqtë.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim lidhur me këtë ngjarje të rëndë që ka prekur gjithë komunitetin e Shkodrës.