TIRANË-Deklarata e rëndë e transgjinores Luana Myrto është mohuar nga shoqata LGBT ‘Streha’ dhe ky fakt ka ardhur me akuza të reja nga Myrto kundër shoqatës. Por cila ishte deklarata e fortë e transgjinores dhe çfarë thotë shoqata për të?
E ftuar në Review në Euronews, për të diskutuar mbi projektligjin për barazinë gjinore, i cili u miratua së fundmi nga Parlamenti i Shqipërisë, Myrto u përfshi në debat dhe më pas nisi të tregojë përse kishte ndryshuar gjininë nga djalë në vajzë. Myrto u shpreh se ishte 14 vjeç, ku e morën nga familja dhe i premtuan se do ta çonin në shkollë. Më tej rrëfen se i thonin se ishte në trupin e gabuar, dhe nuk e shohin si grua deri sa të marrë hormonet dhe të ndryshohej përmes ndërhyrjeve kirurgjikale. Myrto shpjegoi se ndërhyrjet janë kryer pa firmën e prindërve.
“Më morën nga familja, LGBT-ja pra, më futi te streha. Isha me 10-ta në nota, në gjimnaz dhe më premtuan se do më fusnin në shkollë dhe më lanë…Shqetësimi im ishte se unë doja të vazhdoja shkollën dhe më premtuan se do të vazhdoja shkollën, dhe më premtuan se do të vazhdonim shkollën dhe më morën dhe më cuan te kjo streha e LGBT nën moshë. Familja ishte e varfër nuk më mundësonte vazhdimim e shkollës. Ka ndodhur në vitin 2018, isha 14 vjeç. Do kisha trokitur diku tjetër dhe jo te këta më kupton. Do kisha dëgjuar më shumë familjen. Isha pa suport, sepse këta këto gjejnë, këtu fillon. Që i kapin këto në rrjetat e tyre. Je në trupin e gabuar, ne nuk të shohim grua ty, deri sa ti të marrësh hormone dhe të gjithë ato që punon si punonjëse seksi për shkak të këtyre, i linin mbrapa dere dhe fusnin vetëm ato që ishin produkt i ri. I merrnin nga 16 vjeç, 14 vjeç, 13 vjeç.”-u shpreh ajo.
Por në deklaratën e bërë publike nga shoqata ‘Streha’ thuhet se Luana nuk është “marrë” nga familja dhe futur në qendër me pëlqimin e saj. Më tej thuhet se vendosja e saj në shërbim ka qenë rezultat i një vendimi të institucioneve shtetërore për mbrojtje emergjente, në koordinim me strukturat përkatëse, përkatësisht Shërbimi Social Shtetëror Durrës dhe më pas nga Qendra e Specializuar “ARSIS”, pasi në atë kohë ishte 16 vjeç dhe në situatë të lartë rreziku.
DEKLARATA E ‘STREHA’:
Në emisionin “Review” në Euronews Albania, të transmetuar më 8 nëntor 2025, Znj. Luana Myrto, e prezantuar si aktiviste transgjinore, ka bërë disa akuza në drejtim të shërbimit të Qendrës “Streha”. Luana, në gjendjen civile është e regjistruar si E. Myrtollari, i datëlindjes XX/07/1999. Duke qenë se ajo e ka bërë vetë situatën e saj publike, ne kemi detyrimin të sqarojmë opinionin publik mbi rrethanat dhe procedurat ligjore të ndjekura për menaxhimin e rastit. Luana, ka përfituar nga shërbimet e Strehës në tre periudha të ndryshme: në vitin 2015, në vitin 2018 dhe në vitin 2020.
Ndryshe nga sa është deklaruar në media, Luana nuk është “marrë” nga familja dhe futur në qendër, por vendosja e saj në shërbim ka qenë rezultat i një vendimi të institucioneve shtetërore për mbrojtje emergjente, në koordinim me strukturat përkatëse, përkatësisht Shërbimi Social Shtetëror Durrës dhe më pas nga Qendra e Specializuar “ARSIS”, pasi në atë kohë ishte 16 vjeç dhe në situatë të lartë rreziku.
Në atë periudhë, vlerësimi zyrtar i kryer nga institucionet shtetërore identifikoi një rrezik real për shfrytëzim dhe trafikim, për shkak të qëndrimit jashtë mjedisit të sigurt familjar dhe kontakteve me të rritur që mund të cenonin mirëqenien e saj. Për këtë arsye, rasti u trajtua me prioritet dhe u vendosën masa emergjente mbrojtëse nga Shërbimi Social Shtetëror, pasi nëna e saj hoqi dorë nga përgjegjësia prindërore dhe kujdestaria ligjore, duke firmosur formalisht përpara një noteri publik.
Me referim nga strukturat shtetërore dhe me pëlqimin e vetë Luanës dhe , ajo u strehua në qendrën tonë për një periudhë provizore dhe përjashtimore tre mujore, derisa institucionet përgjegjëse të siguronin një zgjidhje përfundimtare. Saktësojmë, se strehimi ishte i përkohshëm dhe përjashtimor sepse qendra “Streha” është e specializuar të punojë vetëm me individë mbi 18 vjeç. Kjo zgjidhje e përkohshmë erdhi me kërkesën e institucioneve përkatëse, të cilat ishin në pamundësi kapacitetesh për të adresuar menjëherë, në atë moment, nevojat komplekse të Luanës. Në vijim, në bashkëpunim me autoritetet dhe zinxhirin institucional, ajo u transferua pranë qendrës “Tjetër Vizion”. Kjo qendër është një institucion i specializuar në punën me të mitur. Pjesë e planit individual të ndihmës për Luanën ishte edhe shkollimi i saj. Kështu, ajo është regjistruar në një gjimnaz të qytetit të Elbasanit.
Pas përfundimit të studimeve dhe pas arritjes së moshës madhore, Luana është paraqitur me vullnetin e saj të plotë disa herë në qendrën tonë për të kërkuar mbështetje, dhe çdo herë është trajtuar sipas protokolleve profesioniale të mbrojtjes dhe mirëqenies, përfshirë pagesën e një pjese të tarifave universitare që mundësuan shkollimin e saj. Ne kemi ofruar asistencë strehimi, mbështetje psikosociale dhe orientim drejt shërbimeve të tjera kur kjo ka qenë e nevojshme. Theksojmë, se qendra “Streha” është e përkushtuar ndaj ruajtjes së konfidencialitetit dhe dinjitetit të çdo përfituesi, por në rastet kur informacioni publikohet vetë nga përfituesi dhe krijon shqetësim publik dhe indicie për fillim të ndjekjes penale, ne kemi përgjegjësi institucionale të japim sqarimet tona mbi mënyrën e trajtimit të rastit. Çdo veprim i yni në lidhje me menaxhimin e rastit është i dokumentuar detajisht në dosjen individuale të personave që marrin shërbime, i mbajtur në formën e kërkuar nga ligji dhe rregulloret e aplikueshme dhe lehtësisht i verifikueshëm. Ne i qëndrojmë me rigorozitet të gjitha procedurave të ndjekura mbi menaxhimin e rastit E. Myrtollari dhe ftojmë Prokurorinë dhe organet e ndjekjes penale të nisin menjëherë hetimet e nevojshme, në mënyrë që transparenca dhe e drejta e personit të mbrohen plotësisht, por pa cënuar në asnjë rast sigurinë, seriozitetin dhe funksionalitetin e institucionit tonë. Qendra “Streha” do të vazhdojë të ofrojë mbështetje me profesionalizëm, në përputhje me detyrimet ligjore dhe pa paragjykim për çdo person LGBTI+ që ndodhet në situatë rreziku apo nevoje.
Pas kësaj deklarate publike, Luana Myrto ka reaguar sërish me tone të ashpra duke denoncuar se qendra Streha është kthyer në qendër trafiku droge dhe disa nga pjesëtarët e saj ndodhen në burg. Reagimin e shoqatës, Myrto e ironizon duke e cilësuar si një prekje pas deklaratës së saj dhe i fton për një përballje në gjykatë.
Reagimi i Luana Myrto:
Duke marrur shkas nga debati i mbrëmshëm dhe nga histeria po ashtu mbrëmshme dhe e sotme po zgjedh t’u them dy fjalë:
Atëyre të cilët nuk di me çfar gjinie i përkufizon ky ligji i ri, po u drejtohem me gjininë thith-ambasadoriale të cilët mbase u doli për hundësh ndonjë vilë ose karrierë despotike teksa na u prekën, e këtyre të tjerve të cilët mu drejtuan me fraza si “do të fundos”, u them se të fundosurin s’ke ku e mbyt më shumë. Makiazh ambasadoro-vilisitik, nuk mund t’u mbulojë rrudhat e shpirtit aq sa ju sponsorizon silikonin e buzëve dhe ndërtimet pa leje (o imt-ja ku jeni se Bojken Lakon e futët në burg për një penxhere haleje), fakti që u shpërfytyruat aq keq tregon se vërtet jeni vampira energjie dhe lekësh, sepse i matni të drejtat jo me energji shpirti por me indikator kartmonedhash.
Unë as nuk shtirem dhe as nuk kam frikë, as me trembin borderot e ambasadave ku ju ushqeheni dhe as me trembin kërcënimet e njerëzve që ndërtojnë pa leje. Unë jam qytetare dhe si e tillë u solla me qytetari, uroj që tashmë gjykimin ta merrni nga shqiptarët dhe nga shteti nëse ata shtetarë kanë një fije shtetarizmi ndër supe. P.S. Lusni zotin të mos me ftoj @ediramaal ne podcast se aty do e shihni. Mos më bëni të flas se sa veta keni në burg nga qendra Streha për trafik droge, se nga një qendër sociale jeni kthyer në një qendër trafikuimi. Ndërsa këtyre zonjave të ambasadave bujrum në gjykat të verifikojmë llogaritë dhe transfertat bankare… Nuk kam nga pas as kishën dhe as Sorrosin të cilit i krefni bishtin…





