Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj po përgatitet të tërhiqet nga politika. Kështu raportojnë mediat dhe gazetarët politikë në Prishtinë.
Dje, Kosova votoi për herë të dytë për 18 komuna që ishin në balotazh dhe kandidati i AAK-së, Ardian Gjini – i cili është dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj force politike që nga themelimi, mori mandatin për të drejtuar Gjakovën.
Sipas gazetarit Vullnet Krasniqi, nga informacionet që ai kishte, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj nuk pritet të vazhdojë angazhimin e tij politik pas këtij cikli zgjedhor. Në këtë situatë, Ardian Gjini shihet si figura që mund ta udhëheqë partinë në të ardhmen.
“Me sa kam dëgjuar, Ramush Haradinaj nuk do të jetë pas këtyre zgjedhjeve i angazhuar politikisht. Kështu e kam dëgjuar një deklaratë.
Dhe unë mendoj që Gjini është i vetmi në AAK që mund ta çojë këtë parti drejt pragut ose drejt Kuvendit në zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur gazetari Vullnet Krasniqi në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.




