Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar në emisionin “Now” ngjarjen e rëndë të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku në një atentat me armë zjarri humbi jetën Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani.
Sipas Karamuços, atentati mban shenjat e një ekzekutimi të mirëorganizuar nga grupe kriminale të fuqishme, të cilat ai i cilëson si më shumë se dy në numër dhe pjesë të përplasjeve në botën e krimit.
“Grupet rivale janë më shumë se dy. Për ata që mund të kenë kryer këtë atentat, policia i bën analizat dhe e ka informacionin kriminal.
Janë shumë të fuqishme si grupe, ndaj mund ta quaj atentat të vitit. Gjithmonë ngjarjet kanë sjellë ngjarje. Është një sagë e madhe që ndodh. Dikush mund ti ketë lajmëruar që Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani kanë ikur në makinë në momentin e caktuar. Mund të ishte një vëzhgues në aeroport.
Eksperti ndër të tjera ngre pikëpyetje lidhur me përcaktimin e vendngjarjes për të kryer këtë atentat, pikërisht në një rrethrrotullim dhe autorët nuk kanë zgjedhur të ndiqnin automjetin ku ndodheshin brenda Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
“Por pse atentati ndodhi në një rrethrrotullim?
Në rrethrrotullim ulet shpejtësia e mjetit, sepse autorët po ta ndiqnin, nuk do e arrinin dot mjetin e shënjestruar. Në rrethrrotullim nuk ke më trafik dhe ikën shumë shpejt në një drejtim. Autorët kanë përshkuar rrugën deri në Fushë-Krujë, pra është ndjekur një intenerar shumë i gjatë dhe i përcaktuar me zonën ku do digjej makinë, nëse është ajo makinë e autorëve të ngjarjes”, tha Karamuço.
Ai thekson se zgjedhja e vendit, mënyra e veprimit dhe intensiteti i zjarrit tregojnë për një operacion të planifikuar me kujdes nga profesionistë, që kanë ndjekur objektivin për një distancë të gjatë deri në vendin ku makina e autorëve është djegur.
“Trajektorja na çon në përfundimin se njëri nga autorët ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me automatik gjithë pjesën përpara të mjetit që nga pasagjeri deri të shoferi, ndërsa autori tjetër ka qenë në makinë ,ka bërë gjysmën e rrotullimit duke dalë me pistoletë dhe duke kryer ekzekutimin e fundit.
Autorët kanë menduar se shoferi dhe pasagjeri mund të kenë pasur armë në makinë sepse kur del nga aeroporti nuk mban dot armë, dhe ka qenë një breshëri e madhe plumbash, një fuqi e madhe zjarri që të neutralizojë shoferin dhe pasagjerin nga pamundësia që të reagojnë. Është një atentat profesionistësh.
Të bësh atentatin në atë zonë është një rrezik i madh. Aty fillimisht policia ka menduar se po grabitej një furgon me para nga një bankë e nivelit të dytë aty pranë, por në fakt kanë parë makinën dhe rrjedhën e ngjarjes”, thekson Ervin Karamuço.




