Një ngjarje e rëndë dhe tejet shqetësuese është raportuar nga Spitali Rajonal i Durrësit, para disa kohesh, raportuar nga meda JOQ ku një qytetar ka bërë publik një denoncim që ka ngjallur zemërim dhe indinjatë tek opinioni publik.
Sipas dëshmisë së familjarit, i cili kishte të shtruar gjyshin e tij në repartin e Mjekësisë së Brendshme, një pacient tjetër në të njëjtën dhomë ka ndërruar jetë gjatë orëve të paradites, por trupi i të ndjerit është lënë për më shumë se tre orë pa u larguar, ndërkohë që në dhomë ndodheshin edhe pacientë të tjerë dhe vizitorët e tyre.
Familjari tregon se në momentet e fundit të jetës, pacientit nuk iu dha ndihmë mjekësore urgjente, edhe pse ai po shfaqte shenja të dukshme të përkeqësimit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndihmë, askush nga stafi nuk ndërhyri në kohë. Pas ndarjes nga jeta, trupi i pajetë u mbulua me një çarçaf dhe u la në dhomë, në prani të të tjerëve, pa u transferuar menjëherë në morg.
“Është e papranueshme që një njeri i vdekur të qëndrojë për orë të tëra në dhomë me të sëmurë të tjerë. Gjyshi im ishte aty, i tronditur dhe i frikësuar. Nuk është humane, nuk është e denjë për një institucion shëndetësor,” – shprehet denoncuesi.
Pamjet dhe dëshmitë që po qarkullojnë në rrjete sociale kanë ngjallur reaksione të forta nga qytetarët, të cilët kërkojnë hetim të menjëhershëm të ngjarjes dhe marrjen e masave disiplinore ndaj stafit mjekësor të përfshirë.
Burime brenda spitalit kanë pranuar se ngjarja ka ndodhur, por e kanë justifikuar vonesën me “procedurat e nevojshme për konstatimin dhe dokumentimin e vdekjes nga mjeku përgjegjës”. Megjithatë, kjo nuk ka bindur familjarët, të cilët e cilësojnë rastin si shkelje flagrante të etikës profesionale dhe dinjitetit njerëzor.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Spitalit Rajonal të Durrësit pritet të dalin me një reagim zyrtar, pasi ky rast ka ngritur sërish pyetje serioze mbi standardet e kujdesit ndaj pacientëve dhe respektin për jetën dhe vdekjen në institucionet publike shëndetësore.




