Nga Roland Qafoku
Videoja 1 minutëshe ku shfaqej Elseid Hysaj duke tërhequr me forcë nga stoli Armando Brojën i mbytur në dëshpërim dhe lot, ndërsa skuadra po festonte arritjen më të madhe në histori, mori më shumë vëmendje edhe se sa edhe goli i fitores i shënuar nga Kristjan Asllani. Në ato 60 sekonda pamë një yll të rënë moralisht, për të mos thënë drejt fikjes. I ulur në stol dhe me lot me sy ai po tregonte pakënaqësi dhe zhgënjim, sikur e gjithë bota i kishte bërë një padrejtësi aspak të merituar. Edhe më e koklavitur u duk situata kur në një video tjetër u pa që Broja kaloi pa i dhënë dorën presidentit të FSHF-së Armando Duka. Po çfarë po ndodh me atë që e kemi quajtur prej vitesh fenomeni i futbollit shqiptar? Përse edhe kur nuk e meriton të jetë titullar, ai reagon negativisht në momentin që trajneri e nxjerr nga loja dhe e zëvendëson me dikë tjetër? Përse tregon pakënaqësi e mërzi kur në fakt ata që duhet të mërziten me të janë në radhë të parë vetë trajneri dhe më pas tifozët? Përse ai është shndërruar në një djalë të përkëdhelur që kërkon vëmendje edhe kur nuk e meriton të ketë vëmendje?
Armando Broja është pa asnjë dyshim futbollisti më i talentuar që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Me fizik të jashtëzakonshëm, tepër teknik, shumë i shpejtë, me potencë në lojë dhe një shënues si ai, futbolli ynë as ka parë dhe nuk mund të parashikohet se kur mund të përsëritet një i tillë me cilësitë që ai disponon.
Ai është njëkohësisht edhe futbollisti shqiptar që ka luajtur me klubin më të kuotuar që ka luajtur ndonjëherë, si Chelsea. Të gjitha këto cilësi janë të shprehura, jo nga një e dy, por nga shumë specialistë, në Shqipëri po se po, por edhe në arenën ndërkombëtare. Por, karriera e tij, tashmë në moshën 26-vjeçare duket se është në një moment delikat.
Ky talent kaq i madh rrezikon që një ditë të shkatërrohet dhe të shndërrohet në një shpërdorim po aq të madh. Janë disa ndeshje me kombëtaren që Broja ka treguar jo vetëm nuk është më ai futbollisti shpërthyes që zgjidhte ndeshjen i vetëm, por tashmë ai është shndërruar një problem për skuadrën. Lëviz ngadalë, gati ecën në fushë dhe nuk vrapon kur nuk e ka topin. Nuk guxon të driblojë. Nuk ka më atë intuitën e dikurshme dhe më e rëndësishmja fare, me ekipin modest të Burnley-t ku luan në Angli është shndërruar në një rezervë 10 minutëshe dhe ka dy vjet që nuk ka shënuar gol.
Duhet të themi edhe pse larg formës dhe pritshmërisë, trajneri Silvinho e ka përfshirë titullar në formacion pa të drejtë. A e ka bërë këtë për ti plotësuar atij një tekë? Nuk besohet kjo. Më shumë besohet se trajneri i kombëtares e ka bërë për ti dhënë atij një mundësi të madhe në mënyrë që ai të ndjehet përsëri i rëndësishëm si dikur dhe nëpërmjet kombëtares të arrijë formën maksimale. Por megjithatë, është vënë re se sa herë që Silvinho e ka nxjerrë nga fusha, Broja ka treguar mungesë respekti dhe ka bërë të pakënaqurin. Të njëtën gjë bëri edhe në ndeshjen e fundit me Andorën.
Në fakt, problemet e Brojës nuk janë shfaqur në ndeshjen e fundit. E para nisi dy vjet më parë kur u largimi nga grumbullimi me kombëtaren nxori në pah se talenti dhe karakteri i tij nuk janë e njëjta gjë. U largua dhe u tha se kishte dhimbje në gjurin e operuar, ndërkohë që te Chelsea nisi stërvitjen. Kjo nuk bindi askënd që e dëgjoi e jo më atë që dinë më shumë se sa spektatori. Ai nuk qendroi me ekipin dhe nuk pa as ndeshjen me Çekinë së paku në tribunë. Të njëjtën gjë bëri edhe me Bullgarinë.
Në këtë situatën Silvinho-s, padyshim, i është dashur të marrë një vendim jo të lehtë. Por më e vështirë tashmë është vendimi që do marrë vetë Broja në të ardhmen për këto sjellje që po manifeston. Nga njëra anë ndodhet ky ekip që pa Brojën mund ta quajmë që nuk ka yje. Por ama e vërteta është se ky ekip ka një frymë që e ka treguar se sa here që veshin fanellën me logon FSHF japin më shumë se talenti i tyre. Dy incidentet pas ndeshjes me Andorën tregojnë qartë që Silvinho është përpara një dileme shumë madhe: Ti japë një vend Armando Brojës në ekip dhe ta trajtojë të tillë se pa atë kombëtarja nuk do ketë sukses, apo të sakrifikojë Armando Brojën dhe të shpëtojë grupin? Deri tani, ndryshe nga Edoardo Reja që e linte në stol, Silvinho ka bërë të mesmen. E ka futur si titullar dhe e ka nxjerrë në pjesën e dytë. Megjithatë Broja ka shprehur pakënaqësi.
Por si zgjidhet kjo situatë? Në dorë realisht e ka Broja. Por ata që janë pranë tij duhet ta ndihmojnë? Si? Ta këshillojnë, ta ulin me këmbë në tokë. Ti tregojnë se talenti i madh është i pamjaftueshëm për tu bërë një futbollist i madh. Se duhet të stërvitet dhe të jetë i përulur. Dhe dikush duhet të guxojë ti thotë hapur se nëse ai nuk do ta menaxhojë këtë situatë rrezikon të dëmtojë dhe ta flakë talentin e madh që ka.
Historia e futbollit botëror ka njohur disa shembuj të ngjashëm. Marrim vetëm dy. Bernd Schuster, padyshim, mbetet një nga futbollistët më të talentuar që ka nxjerrë futbolli gjerman. Pjesë e Barcelonës dhe Realit të viteve ‘80-të si mesfushor, ai nisi përplasjet me trajnerin dhe përballë kësaj arriti deri të refuzojë të ishte pjesë e kombëtares. Luajti vetëm 21 ndeshje e Gjermaninë dhe shënoi vetëm 4 gola, një prej tyre Shqipërisë në stadiumin “Qemal Stafa”. Kur ishte në kulmim e formës së tij ai nuk mori pjesë në një grumbullim që për rastësi ishte për ndeshjen ndaj Shqipërisë, shumë modeste në atë kohë, në Gjermani, me arsyen sepse ato ditë bëhej baba për herë të dytë.
Pra, nuk shkoi në grumbullim se priste bashkëshorten e lindte. Por Gjermania është Gjermani. Fakti që nuk u paraqit në grumbullim u cilësua skandali më i madh në historinë e futbollit gjerman dhe çështja mori përmasa të mëdha. Trajneri legjendar Jupp Derval dhe federata gjermane nuk iu lutën dhe nuk u përulën ndaj talentit të atij që thirrej “engjëlli bjond” duke e dënuar publikisht veprimin. Konflikti arriti pikën më të rëndë teksa në këtë debat Schuster njoftoi publikisht tërheqjen nga kombëtarja. Mendoni, ishte 24 vjeç dhe luante me yjet e Barcelonës dhe Realit, por kjo nuk i emocionoi dhe kompleksoi as trajnerin e as federatën. Gjermania luajti pa këtë talent të madh e megjithatë fitoi botërorë dhe evropianë. Ndërsa të gjithë futbollistët morën një mësim se mbi të gjitha është Gjermania edhe se sa një problem apo gëzim familjar.
Shembulli i dytë është Mario Balotelli-t që përfundoi si mos më keq. Një nga talentet më trë mëdha në futbollin italian dhe botëror. Futbollisti i Inter, Milan, Manchester City, ai ishte në kulmin e karrrierës kur nsi problemet me trajnerët, menaxherët e deri me tifozët. Teka, sjellje të vrazhda, aspak i lidhur me ekipin dhe përherë dëshironte vëmendje. Por, një ditë të gjitha këto u shumëzuan me zero. Humbi formën sportive dhe nuk u thirr më me kombëtaren. Përundimisht, luajti vetëm 36 herë me Italinë dhe u katandis të luante në nivele të ulta. Askush sot nuk e kujton Balotelli-n për talentin, por për sjelljen e tij në fushë dhe tekat që shfaqte.
Si Bernd Schuster dhe Mario Balotelli ishin shumë të talentuar, por aspak të disiplinuar. Askush nuk ua pati fajin. Ishin dhe mbetën vetëm ata fajtorë. Nuk e teprojmë të themi se ka shumë gjasa që Armando Broja të përfundojë si Schuster apo Balotelli. Por në të njëjtën kohë, Armando Broja ka shumë mundësi që ai talentin e tij ta kthejë në vlerë për kombëtaren. Shqipëria ka nevojë për të, por edhe ai ka shumë nevojë për Shqipërinë. Ata që i rrinë afër, duhet ta këshillojnë mirë dhe jo ta fryjnë si balonë duke i thënë se është i madh. Shqipëria vërtetë me Armando Brojën bëhet më e madhe, por futbolli është lojë që luhet me 11 vetë në fushë. Vërtetë ai na ka dhënë dy fitore me Hungarinë, një në Tiranë dhe një në Budapest. Por ama ai nuk luajti tenis në atë ndeshje, por futboll. Sikur ekipi të ishte dobët dhe të kishte pësuar 2, 3, apo 4 gola, ndeshja do dilte 1-4. Pra, vlen Broja shumë, pro më shumë vlen ekipi. Këtë duket se Silvinho e ka bazë në punën e tij si trajner. Si i tillë Broja duhet të gjejë zgjidhjen te vetja.
Shqipëria arriti suksesin më të madh në histori duke arritur në fazën play off për në Botëror. Dy ndeshjet në muajin mars janë decizive për këtë objektiv. Me një Broja në formë dhe të përulur besohet se ky synimi arrihet. Me një Broja aspak në formë dhe për më tepër tekanjoz, ky synim edhe mund të arrihet, por duke patur frymën e grupit. Broja nuk mund të bëjë dot pa Shqipërinë, por Shqipëria bën edhe pa Brojën.
Ajo që vlen të theksohet është se ai është në një moment delikat. Nga një talent i madh rrezikon të kthehet në një futbollist të vogël. Prandaj për të mos e humbur, dikush, ose disa, duhet të merren seriozisht me të. Ndryshe të gjithë kemi për ta humbur. Por më shumë, ai do humbë veten. Prandaj, thirrja për talentin më të madh shqiptar të të gjitha kohëve është: Shpëtoni futbollistin Armando Broja! (A2 Televizion)




