Refuzoi thirrjen e prokurorise, arrestohet ish kryeministri
Në Korenë e Jugut ka shpërthyer një tjetër krizë politike, pasi ish-kryeministri Hwang Kyo-ahn u arrestua të mërkurën në banesën e tij nga ekipi i Prokurorit Special, i cili po heton akuzat për përfshirje në shpalljen e ligjit ushtarak gjatë ngjarjeve të 3 dhjetorit të vitit të kaluar.
Arrestimi u krye në orët e paradites, ndërsa njëkohësisht u ekzekutua edhe një kontroll i plotë i banesës së Hwangut.
Sipas burimeve nga organet e drejtësisë, urdhri për arrestim u lëshua pasi ai kishte refuzuar disa herë të paraqitej dhe të bashkëpunonte me hetuesit.
Hetimi lidhet me një postim të tij në rrjetet sociale më 3 dhjetor, ku ai shprehej dukshëm në mbështetje të shpalljes së ligjit ushtarak nga ish-presidenti Yoon Suk-yeol, një ngjarje që ka tronditur politikën koreane.
Në deklaratën online, Hwang shkruante: “Ligji ushtarak është shpallur. Parandalimi i kaosit kombëtar është përparësia”. Ai shkonte edhe më tej, duke kërkuar arrestimin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare dhe figurave të larta të opozitës, të cilët i akuzonte si “forca pro-Veriore” dhe “elementë që kanë manipuluar zgjedhjet”.
Sipas Ligjit të Prokurorit Special për Kryengritje, hetimi ka kompetenca të gjera për të shqyrtuar vepra si: komplot për kryengritje, nxitje për kryengritje, shpallje të paligjshme të ligjit ushtarak, vrasje të kryera në funksion të një kryengritjeje, si dhe akte të dhunshme të lidhura me tentativat për pushtet.
Arrestimi i ish-kryeministrit pritet të acarojë më tej tensionet politike në vend, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse Hwang ka patur rol aktiv në nxitjen e krizës që çoi në shpalljen e ligjit ushtarak — një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe më të debatueshme në politikën e Koresë së Jugut gjatë viteve të fundit.




