Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se, sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, vendi pritet të përfshihet nga mot i keq gjatë gjithë javës, me reshje të dendura shiu dhe dëbore, si dhe shtrëngata në disa zona.
Sipas parashikimeve, dita e hënë, 17 nëntor 2025, do të nisë me reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të vendit priten reshje të dobëta. Intensiteti i tyre pritet të rritet gjatë orëve të pasdites.
Të martën, 18 nëntor, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin. Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra do të preken nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Lezha pritet të ketë reshje intensive, ndërsa në Dibër, Durrës dhe Tiranë parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata në gjithë vendin.
E mërkura, 19 nëntor, do të sjellë intensitet të lartë reshjesh në të gjithë vendin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përjetojnë reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me stuhi.
Të enjten, 20 nëntor, pritet një ulje e intensitetit të reshjeve. Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjera të dobëta.
Në zonat malore mbi 400 metra lartësi në veri, lindje dhe juglindje, reshjet do të shndërrohen në dëborë, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Parashikimet hidrometeorologjike tregojnë se në basenin e lumit Drin, sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 150–200 mm në Fierzë dhe deri në 300 mm në Koman–Vau i Dejës, duke rritur vëmendjen për menaxhimin e prurjeve.
Strukturat e emergjencave civile do të vijojnë të informojnë publikun për situatën dhe çdo zhvillim të ri që lidhet me motin dhe rrezikun në terren.
LEXONI GJITHASHTU:
Shqipëria veriore pritet të përballet me reshje të dendura gjatë javës 17–23 nëntor, sipas parashikimeve më të fundit hidrometeorologjike dhe të dhënave satelitore.
Sasia më e lartë e reshjeve do të regjistrohet në basenin e lumit Drin, me kulme më 18–19 nëntor dhe sërish më 22 nëntor, duke përfshirë zonat Theth–Valbonë, Shkodër–Pukë, si dhe territorin e hidrocentraleve të kaskadës.

Sipas të dhënave zyrtare:
Fierzë: priten 150–200 mm reshje
Koman – Vau i Dejës: deri në 300 mm reshje
Këto vlera konsiderohen shumë të larta për një interval kaq të shkurtër kohe dhe përbëjnë rrezik të shtuar për prurje të mëdha dhe dalje të lumenjve nga shtrati.
Rreziku shtrihet për zonat poshtë kaskadës, ku reshjet e vazhdueshme të kombinuara me shkarkimet e mundshme nga digat mund të shkaktojnë përmbytje lokale.
Ndërkohë, të dhënat satelitore të platformës Ventusky flasin për një situatë të nxehtë meteorologjike në gjithë brigjet perëndimore të Ballkanit:
“Java e re do të sjellë reshje të dendura në Mesdhe. Gjatë shtatë ditëve, përgjatë brigjeve perëndimore të Ballkanit mund të bien deri në 300 mm reshje dhe shumë zona të tjera 100–200 mm. Përmbytjet dhe dëmet janë të mundshme në rajonet e prekura.”
Institucionet përgjegjëse pritet të njoftojnë më tej për situatën në varësi të evolucionit të reshjeve dhe nivelit të ujërave në kaskadë. /skyweb.al




