Kjo femer ka 250 ditë pushim në vit dhe një rrogë mbi 10 mijë euro në muaj, por “askush” s’e do!

Të kesh 250 ditë pushim në vit, mbi 130 mijë euro pagë dhe mjaft kohë për projektet personale tingëllon si puna e ëndrrave. Por për Amalie Lundstad, 29 vjeç, inxhiniere procesesh në një platformë nafte pranë brigjeve të Norvegjisë, kjo jetë vjen me shumë sakrifica. Mediat daneze tregojnë historinë e saj: tre vite duke punuar e izoluar në det, larg familjes dhe miqve, në një nga mjediset më të ashpra të punës.

Ajo punon me turne dyjavorë, me nisje që para orës gjashtë të mëngjesit ose në mbrëmje. Çdo ditë fillon me ndërrimin e ekipit, planifikimin e detyrave dhe kontrollet e sigurisë. Si përgjegjëse zone, Amalie duhet të garantojë funksionimin e saktë dhe të sigurt të proceseve teknike të platformës. “Punojmë gjithmonë dyshe. Parimi i ‘katër syve’ është thelbësor, sepse çdo gabim mund të ketë pasoja fatale”, shpjegon ajo, duke theksuar sasitë e mëdha të energjisë që kalojnë nëpër tubacione, shkruan A2 CNN.

Presioni psikologjik, izolimi dhe mungesat e gjata larg familjes bëjnë që shumë njerëz të mos e përballojnë dot këtë punë. Por sipas saj, shpërblimi është një jetë me liri të jashtëzakonshme. Platforma ka palestër, simulator golfi dhe aktivitete të tjera që e ndihmojnë ekipin të çlirohet nga stresi. Edhe pse është një nga të paktat gra atje, ajo është mësuar me ritmin dhe atmosferën.

Me gati 90 mijë ndjekës në Instagram, Amalie dokumenton përditshmërinë e saj dhe këshillon të rinjtë që mendojnë një karrierë të ngjashme. Por paralajmëron: koha e lirë është e bollshme, por jo fleksibël. “Ke shumë pushime, por nuk i zgjedh dot vetë. Humb festa, dasma, pushime me miq – sepse turni nuk ndryshon”. Për të, çelësi është që njeriu të ketë gjithmonë një qëllim dhe një plan, ndryshe jeta mes valëve bëhet e vështirë. (A2 Televizion)