“Je mësuar te shtëpia e fëmijës”, zyrtari i Ramës braktis studion pas sherrit me Deputetin e Saliut, gazetari ndalon deputetin

Debat i ashpër në studion e emisionit “Off the Record” të Andrea Dangllit, mes deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, dhe këshilltari i PS-së në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi. Përplasja midis tyre degjeneroi në akuza të rënda dhe ofendime personale.

Mziu deklaroi se protesta e opozitës është “fillimi i protestave masive”, duke theksuar se qytetarët po reagojnë ndaj mungesës së “minimumit jetik”.

Në replikë, Muharremi i quajti deklaratat e tij hipokrizi, duke sjellë si shembull rritjen e çmimit të transportit.

Situata u tensionua kur Mziu e sulmoi ashpër qeverinë dhe më pas edhe vetë Muharremin: “Kjo qeveria kriminale e këtij hajduti… edhe ky është një hajdut.

Ky që shkoi në banjo se kishte frikë Ramën”. Muharremi reagoi duke e quajtur gjuhën e tij “të tmerrshme”.

Përplasja vazhdoi më tej kur Mziu i tha: “Si duket je mësuar te Shtëpia e Fëmijës ti”.

Gazetari Andrea Danglli ndërhyri duke i kërkuar Mziut të mos vijojë me retorikën, duke i thënë që kjo është e palejueshme.

Debati ka agravuar më tej ç’ka solli edhe ndërprerjen e menjëhershme të programit nga moderatori i cili kërkoi distancim nga gjuha e përdorur.

Fill pas emisionit, këshilltari i Partisë Socialiste bëri një reagim të gjatë në rrjetet sociale ku ndër të tjera tha:

“Përballë meje ishte një deputet i Partisë Demokratike, një njeri që fjalën “familje” e ka në themelet e filozofisë që pretendon të përfaqësojë.

E megjithatë, në vend të një debati mbi fakte e vizione, ai më riktheu pas në birucat e fëmijërisë, në një vend që mendoja se e kisha lënë shumë vite më parë: Tek bullizmi përtej murit.

Unë mbase e kam kaluar por shumë motra e vëllezër në këtë situatë jo.

Për një moment, brenda meje u ndeshën dy Alfredë: ai i fëmijërisë që kërkonte t’i përgjigjej menjëherë me aq forcë sa kishte e me aq fjalë sa kishte.

dhe ai tjetri, më i thelli, i Alfredit të rritur që më kujtoi se dinjiteti nuk matet me tonin e zërit, por me mënyrën si zgjedh të mos përgjigjesh përballë një niveli të tillë.

Zgjodha këtë të fundit, jo nga mungesa e fjalës, por edhe nga respekti për studion që më ftoi, për njerëzit që na shihnin, dhe mbi të gjitha për veten time e familjen time të fatit.

Më vjen keq që ky episod, prishi gjithë atmosferën, tek studio e mikut tim Andrea Danglli, A2, të cilin falenderoj publikisht për sensibilizimin dhe përkujdesin që pati gjatë dhe pas emisionit. Kjo është arsyeja pse shkoj përherë me qejf për profesionalizmin dhe balancën”, tha ndër të tjera Muharremi.

Teksa përplasja vijoi për disa minuta, Alfred Muharremi u shpreh se nuk mund të lejojë ofendime të tilla e diskriminim dhe u largua nga studio e emisionit “Off the Record” të Andrea Dangllit. (A2 Televizion)