Si imitim i një Kuvendi paralel, kryedemokrati Sali Berisha dështoi në seancën e parë të mbajtur përpara kryeministrisë. Përveç se pjesëmarrje e ulët nga qytetarët, Berisha duket se është braktisur dhe nga deputetët, të cilët nga 53 mandate, vetëm rreth 12 prej tyre u panë sot në protestë.
Belind Këlliçi, Gjin Gjoni, Flamur Noka, Elda Hoti, Tedi Blushi, Gazment Bardhi, Denisa Vata, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Besart Xhaferri, Agron Gjekmarkaj, Klevis Balliu, ishin deputetët e pranishëm, shto këtu Floriana Garon, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila është gjithmonë pranë Berishës.
Deputeti i PD, Bardh Spahia, ishte i ftuar këtë mbrëmje në një emision televiziv ku komentoi tubimin e opozitës para kryeministrisë.
Spahia u shpreh se e sotmja nuk ishte protestë, por një foltore parlamentaro-qytetare e cila u ideua dhe do vazhdojë të jetë e tillë për t’i dhënë zë parlamentarëve që iu hoq e drejta e fjalës në parlament gjatë seancave plenare dhe një mënyrë për të sjellë zërin e opozitës sa më pranë qytetarëve.
“U bënë pjesë edhe qytetarët në këtë foltore. PD dhe opozita sa herë ka qenë nevoja të sjellë apo përfaqësohet me numra, ka qenë gjithmonë në nivele maksimale.
Po të duam, e bëjmë dhe më masive. Kjo ishte zgjedhje e ideuar në formë të tillë. Foltore parlamentaro-qytetare për t’i dhënë hapësirën e munguar përfaqësuesve të opozitës dhe qytetarëve të popullit opozitar, për të zëvëndësuar në një mënyrë atë hapësirë të munguar gjatë zhvillimit të seancave parlamentare.”-tha Spahia.
Se kush ishte mesazhi i foltores sot, Bardh Spahia theksoi se ishte mjaft e rëndësishme, që opozitës nuk mund t’i mbyllet goja.
“Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja. Diskutimet që me forcën e kartonit mazhoranca ia mohoi përfaqësuesve të popullit opozitar në parlament, e kam fjalën për debatin e munguar për ligjin për barazinë gjinore, që ishte një turp dhe skandal i vërtetë. Votuam dhe votuam kundër me bindjen e plotë.
Përveçse e argumentuam qartazi në mënyrë ezauruese domosdoshmërinë për të mohuar një praktikë të tillë që shkatërron në themel bërthamën e shoqërisë sonë, gjatë gjithë diskutimit të këtij projektligji në komisionet parlamentare, kishim vendosur të diskutonim qartazi në seancë, por me forcën e kartonit u mohua. Vendim absurd.
Ka disa mesazhe dhe janë të qarta. Ishte mosdëshira e mazhorancës për të mos e diskutuar publikisht atë projektligj. Padyshim ka dhe mesazhe të tjera po aq të rëndësishme, e drejta e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, e drejtë kushtetuese që s’ia mohon dot mazhoranca.
Ne nuk e diskutojmë më që ne do shkojmë në parlament. PD do shfrytëzojë çdo hapësirë për tu bërë zëri i mbrojtjes së interesit qytetar.”-tha Spahia.
Bardh Spahia dukshëm është kundër fjalorit të Sali Berishës, i cili një orë para se të niste tubimi para kryeministrisë, tha se sot nis një valë protestash që nuk do ndalen deri në rrëzimin e qeverisë, ndërsa deputeti demokrat nuk e quan të tillë, por një foltore.




