Ogerta Manastirliu është caktuar drejtuese politike për qarkun e Tiranës. Kjo është lëvizja e radhës e bërë nga kryeministri Edi Rama, i cili e bëri publike vendimin duke u shprehur:
“Ne e mbështesim Bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin dhe për këtë arsye menduam për Ogertën si drejtuese politike të qarkut, por edhe si deputete të Tiranës.”
Kujtojmë se Ogerta Manastirliu ishte kandidate për Bashkinë e Tiranës, por Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet në kryeqytet, duke lënë në detyrë kryetarin aktual, Erion Veliajn.
Shkarkimi i tij u shpall i kundërligjshëm nga Kushtetuesja dhe për pasojë, Manastirliu do të vijojë punën si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që merr përsipër edhe detyrën e re politike në kryeqytet.
Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, së bashku me Ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, deputetët e zonës dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës, zhvilluan një takim me banorët e Njësisë 4, në vijim të turit të dëgjesave publike për Buxhetin 2026 që po zhvillohen në të gjithë territorin e Tiranës.
Gjatë takimit me komunitetin e Njësisë 4, Ogerta Manastirliu vuri theksin te politikat e reja për strehimin dhe krijimin e Agjencisë së Strehimit për strehimin social dhe të përballueshëm.
“Qeveria po punon për të krijuar Agjencinë e Strehimit për strehim social dhe të përballueshëm. Përpos asaj që Bashkia sot jep në programet e saj të strehimit social, kreditë sociale apo banesat sociale me qira apo vetë ndërtimet që realizohen në kuadër të programeve të strehimit, qeveria është duke punuar për një tjetër program që lidhet me këtë Agjenci që do të krijohet për t’iu dhënë mundësi çifteve të reja, familjeve të reja për të pasur banesën e parë dhe për t’iu krijuar mundësinë e një strehimi të përballueshëm”, tha Manastirliu.




