Përveç masës për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga detyra dhe i është bllokuar ndalimi jashtë vendit, GJKKO ka dhënë masën ‘arrest shtëpiak’ edhe për dy zyrtarë të tjerë.
Klodiana Lala: Balluku është zyrtarja më e lartë në detyrë që deri tani ka një masë sigurie, pavarësisht se është masë e lehtë, por ka një masë sigurie për akuza penale. Prokuroria më herët ka ngritur akuza penale dhe ka firmosur masat e arrestit për vartësit dhe ish-vartës së saj. Pas arrestimit të Berberit, derivoj dhe dosja e zonjës Balluku.
Nga këqyrja e një celular “Blackberry”, që ishte në përdorim nga Berberi, u zbuluan komunikimet me tyre ku u zbulua afera e Tunelit të Llogarasë.
Krahas Ballukut, janë caktuar edhe masa të reja sigurie, dy persona mësohet se janë në “arrest shtëpie”, Drejtori i KESH, Erald Elezi dhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli janë dy ish-vartësit e Belinda Ballukut, ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Deri sa t’u komunikohet personave nën hetim dhe të pandehur, këto masa mbahen sekret.
Në një reagim për mediat, GJKKO shprehet se masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Balluku kanë karakter sekret.
Gjithashtu theksohet se do të ketë njoftim zyrtar nga ana e gjykatës në momentin e duhur procedurial.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.
Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.
Për dy zyrtarët është dhënë masa e arrestit shtëpiak, teksa pritet të zbardhen edhe emrat e tyre në momentin e ekzekutimit të masës.
Gazetarja Klodiana Lala informon se SPAK ka ushtruar kontrolle të reja ndaj zyrtarëve të afërt me Ballukun, ku besohet se janë gjetur edhe prova të reja implikuese, që mendohet se kanë sjellë edhe masën e sigurisë që është vendosur.
“Ka pasur bllokim të celularëve. Janë kryer kontrolle nga SPAK, janë sekuestruar një sërë celularësh të personave që kanë bashkëpunuar me Ballukun dhe mund të jenë siguruar prova të reja nga këto kontrolle që e lidhin me zv/kryeministren Balluku. Në këtë kuadër ka ardhur edhe masa e sigurisë për pezullim dhe sekuestrim pasaporte”, tha Lala.
Po nëse Balluku nuk e zbaton masën e vendosur, çfarë ndodh sipas procedurave penale?
“Nëse nuk e zbaton masën, prokurorët mund të kalojnë edhe në masa më të forta sigurie ndaj saj. Por duke qenë se drejton një nga ministritë më të rëndësishme e më të fuqishme, që menaxhon një pjesë të madhe të buxhetit, ka rrezik për ndikim nga ana e saj, që të mos ushtrojë ndikim edhe ndaj zyrtarëve apo në prishjen e provave”, shpjegoi gazetarja.
Mësohet se prokurorët kanë përdorur edhe metoda speciale hetimi dhe proaktive për të gjetur prova dhe lidhje direkte apo indirekte që implikojnë zv/kryeministren në abuzime dhe vartësit e saj.



