Andi Bushati: P*ng në kryeministri/ Ç’po negocion Belinda Balluku me Edi Ramën

“S’do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon” u shpreh ajo, duke shtuar se bashkë me kolegët e PS e mbështeste reformën në drejtësi, “edhe kur prekemi personalisht”.

Fjalimi respektoi pikë për pikë vijën e partisë. Asnjë devijim. Asnjë lëvizje nga logjika. Asnjë shenjë se interesi personal, mund të dalë mbi interesin e partisë.

Pranë Ballukut në kuvend ishte ulur edhe kryeministri Edi Rama, i cili deri dje kishte refuzuar ta shkarkonte nga detyra por në asnjë rast nuk e ka mbrojtur publikisht. Përkundrazi, në fjalën e tij në Kuvend, Rama u mburr se “sot Shqipëria për herë të parë në histori lufton me korrupsionin dhe heton pa dallim” dhe se PS është “garantja ekskluzive” e pavarësisë së drejtësisë.

Mbrëmjen pas parlamentit Balluku vazhdoi si zakonisht punën e saj si ministre, duke ndarë njoftimet për reshjet e shirave dhe nivelin e ujit në diga. Dukej e qetë. Në fund të fundit, telashet me drejtësinë do t’i përballonte me mburojën që i jepte të qënit nr.2 i qeverise.

Vetëm se pa kaluar as 24 orë, premtimi i saj për besnikëri ndaj partisë po tingëllon i nxituar. Rrethanat ndryshuan me shpejtësi dhe pikërisht atëherë kur gjithçka dukej e qetë për Ballukun, situata u përmbys dhe u bë e paparashikuar.

Prokurori i çështjes "Balluku", Dritan Prençi gjatë një takimi me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming
Prokurori i dosjes”Balluku”, Dritan Prençi gjatë një takimi me Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming

Mjaftoi firma e gjykatësit Erjon Çela i cili mëngjesin e të enjtes, në seancën e masave të sigurisë, urdhëroi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke e ndaluar të udhëtojë jashtë Shqipërisë.

Si të mos mjaftonin këto, prokurorët e SPAK i shtuan një akuzë të re: shkeljen e barazisë në tenderin e lotit nr.4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Prova të tjera janë gjetur në celularin e Ervis Berberit, ish-vartësi i saj i pakujdesshëm, i cili në bisedat e tij zbulon gjithë mekanizmin e kontrollit të tenderave, një mekanizëm që Prokuroria thotë se lidhet drejtpërdrejt me ministren.

Ajo që gjer dje ndjehej e paprekshme në parlament, e ulur afër Edi Ramës dhe e gatshme të recitonte formulat propagandistike të partisë për drejtësinë e pavarur, sot e sheh veten pa pasaportë, pa pushtet ekzekutiv dhe gati për t’u shndërruar në kurbanin e radhës të Rilindjes.

Prova nuk ka, por instikti e ka çuar direkt në zyrën e Edi Ramës. Aty beson se e ka origjinën kjo kthesë e fortë në procesin gjyqësor, të cilën një ditë më parë nuk ia kishte marrë mendja.

Pretendimi i Ballukut është se vendimi i gjykatës është antikushtetues, se emërimi i ministrave dhe i zv.kryeministres është një ekskluzivitet i kryeministrit. Përndryshe, qeverisja nuk do të përcaktohej nga të zgjedhurit me votë, por nga prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO.

Belinda Balluku duke hyrë në kryeministri, pasi GJKKO e pezulloi nga detyra
Belinda Balluku duke hyrë në kryeministri, pasi GJKKO e pezulloi nga detyra

Në mediat pranë qeverisë po raportohet se Balluku ka pretenduar se pezullimi nga funksionet që ka pasur është bërë në shkelje e Kushtetutës.

Gjithashtu, pretendon Balluku, këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë, por vetëm Gjykata Kushtetuese pasi posti i zv.kryeministrit është i përcaktuar në Kushtetutë. Nuk dihet ende nëse do të jetë kjo mbrojtja që do të bëjë Balluku pasi Kodi i Procedurës Penale në nenin 242 pika 2 thotë se masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, “përveç atyre të zgjedhurve sipas Kodit Elektoral”.

Duke nuhatur këtë dredhi në arsyetim, opozita ka reaguar menjëherë duke e akuzuar Edi Ramën për një grusht shteti. “Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj” shkruan kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Më herët është përfolur se Belinda Balluku e ka bërë të qartë se nuk do të bjerë e vetme në kthetrat e drejtësisë. Ndaj këtë të enjte u ngujua bashkë me Edi Ramën në kryeministri. Takimi zgjati shumë, më shumë se 7 orë dhe gjatë pasdites, dyshes Rama-Balluku i është bashkuar edhe kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.

I pari që la zyrën ishte kryeministri Edi Rama, i cili kishte planifikuar një darkë me komisioneren Marta Kos. Ndërkohë mediat ndërkombëtare e lidhën menjëhere ndjekjen penale të Bullukut me procesin e integrimit.

“Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por blloku i pasur po kërkon që vendi të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin” shkruajti Reuters.

Belinda Balluku, e njëjta që deri dje betohej se nuk do t’i kundërvihej drejtësisë dhe se do t’i qëndronte besnike partisë deri në vetësakrifikim, sot po kërkon ndërmjetësim politik, një marrëveshje pandëshkueshmërie nga Edi Rama.

Për të mos shkuar në hapat e Erion Veliajt, i cili e besoi shefin deri në momentin e fundit para se t’i vinin prangat. Për të mos ndjekur as modelin e Arben Ahmetajt, që iku jashtë vendit duke  lëshuar nga larg akuzat e tij për Ramën. Çështja tashmë nuk është politike dhe as penale. Marrëdhëniet kanë marrë ngjyrat e një thrilleri kriminal dhe veprimet e njërit apo tjetrit po funksionojnë sipas rregullave të mafias./Lapsi.al