Sajmir Beça, një 30 vjeçar me origjinë nga fshati Novosej i Kukësit, ka ndërruar jetë tragjikisht në Britaninë e Madhe, raporton newsbomb.al. Ai është shtypur nga një plehrash, teksa ishte strukur në koshat e mbeturinave për të kaluar të ftohtin.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në Rrugën Wellington në qendër të qytetit të Northampton, në orët e para të së premtes, më 31 tetor.
Fqinjët u zgjuan nga britmat që vinin nga kamioni përpara se ambulancat dhe policia të mbërrinin në vendngjarje rreth orës 3 të mëngjesit. Fatkeqësisht, Sajmiri vdiq më vonë nga plagët e marra në Spitalin Universitar të Coventryt më 6 nëntor.
“Mjekja e lartë ligjore Anne Pember tha se burri i pastrehë vdiq nga dështimi i shumëfishtë i organeve si pasojë e lëndimeve të shumta shtypëse në legen dhe gjymtyrët e poshtme. Trupi i tij i është kthyer familjes dhe është mbajtur një funeral”,
Newsbomb.al mëson se trupi i Sajmir Beçës është kthyer në Shqipëri dhe familja ka vendosur që 30 vjeçari të prehet në fshatin e tij të lindjes, në Novosej të Kukësit. Varrimi është bërë në datën 16 Nëntor, ndërsa Sajmiri la pas dy prindërit dhe një vëlla.

I riu nuk jetonte në Northampton, por në një zonë tjetër dhe natën kur ndërroi jetë, sapo kishte shkuar në këtë qytet. Duke mos gjetur askënd për të qëndruar, ai ka vendosur të flinte në koshin e mbeturinave.
Një mikeshë e Sajmirit u ka thënë mediave britanike se ai nuk flinte rregullisht në rrugë, sepse ishte një djalë shumë punëtor, por atë mbrëmje nuk kishte gjetur askënd. Madje, sipas saj kishte telefonuar shumë persona, por askush nuk kishte pranuar ta strehonte.
“Na vjen vërtet keq dhe duam që ai të mbahet mend për mënyrën se si ishte, jo për mënyrën se si vdiq”, tha ajo gjatë homazheve në Angli.
“Ai ishte një njeri i shkëlqyer, një djalë shumë punëtor. Ndihem shumë e trishtuar. Im shoq nuk mund të ndalonte së qari, e dini, sepse po mendonte pse nuk u përpoq ta telefononte. Ai i telefonoi të gjithë këta njerëz të tjerë, por jo atë vetë. Do t’i thoja të vinte të flinte në shtëpinë tonë ose, e dini, çfarëdo qoftë, por ai nuk erdhi sepse ndoshta ndihej i turpëruar”, ka treguar vajza.
Veolia, një kompani kontraktore e mbeturinave që menaxhon koshat komercialë në qytet, tha se ishte “thellësisht i trishtuar” nga incidenti, ndërsa Policia e Northamptonshire tha se nuk kishte rrethana të dyshimta rreth vdekjes së Sajmir Beçës.
© Newsbomb.al



