Olti Curri zbulon listën me emrat e bujshem të banorëve të “Big Brother VIP 5” dhe datën e nisjes së spektaklit

Ndërsa ethet për nisjen e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania” kanë filluar, me datën e përfolur të startit më 20 dhjetor, gazetari Olti Curri ka publikuar listën e parë të personazheve që aludohet se do të jenë banorë të shtëpisë.

Në videon e tij të fundit, vëmendjen kryesore e mori dyshja e ish-moderatoreve të “Wake Up”, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj.

Duke iu referuar lajmeve të fundit për konfliktin mes tyre dhe largimin nga Top Channel, Curri hodhi dyshime se ky “sherr” mund të jetë një strategji e mirëmenduar për të gjeneruar vëmendje para hyrjes së tyre në shtëpi.

Ai nuk i kurseu elozhet për Enxhin, duke e cilësuar atë si “pikante” dhe ideale për këtë format.

Lista e Oltit vazhdoi me emra të tjerë surprizues dhe komente epike:

Anxhela Martini: Për modelen e famshme, Curri u shpreh skeptik, duke ironizuar se dikush që është mësuar me luks në St. Tropez e Mykonos, vështirë se do të mbijetonte me “buxhetin e sallamit” brenda shtëpisë së BBVA.

Robert Aliaj Dragot: Artisti ekcentrik dhe babai i ish-finalistit Kristi Aliaj, është një tjetër emër i lakuar, megjithëse Olti ngriti pyetjen nëse 65-vjeçari do të pranojë të prishë rutinën e tij për reality show-n.

Juxhin Plovishti: Aktori i ri i “Portokalli”, i vlerësuar për imitimin spektakolar të Loredanës.

Të tjerë emra në listën e “basteve” të Oltit ishin Ardi Murataj,  Sabina Mete, Ina Pashollari, këngëtarja Lore, ish-banori i “Big Brother” të thjeshtë Valer Kolnikaj, modelja Kleoniki Delijorgji dhe Jori Mersini.

Mbetet për t’u parë nëse këta emra do të konfirmohen zyrtarisht kur të ndizen dritat e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.