Takim i zhvilluar mbrëmjen e së enjtes mes kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku mësohet se ka qenë jashtëzakonisht i tensionuar. Sipas burimeve pranë Kryeministrisë, përballja ka nisur menjëherë sapo Balluku ka hyrë në zyrë, vetëm pak orë pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), vendosi pezullimin e saj nga detyra. Takimi, që zgjati shtatë orë, është përshkruar nga burimet si “më i ashpri në 25 vitet e bashkëpunimit mes tyre”.
Prapaskenat
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se qendra e debatit ka qenë çështja e mesazheve të zbuluara në celularin e Ervis Berberit, të cilat, sipas hetimit të SPAK, përfshinin komunikime të rëndësishme me Ballukun. Por, sipas burimeve politike, Balluku ka kundërshtuar me forcë idenë se këto mesazhe përbëjnë provë fajësie dhe ka pretenduar se komunikime të ngjashme ka pasur edhe vetë Kryeministri. Sipas informacioneve të qarkulluara, Balluku ka deklaruar se po trajtohej si “kokë turku”, ndërsa vendimet kryesore lidhen me urdhra të marra në nivelet më të larta të qeverisë.
Ajo mësohet të ketë përmendur konkretisht projektin e tunelit të Llogarasë, duke deklaruar se “çdo hap është bërë me urdhër direkt”, ndërsa i ka kërkuar Kryeministrit të sqarojë pse mesazhet e tij nuk janë bërë pjesë e dosjes. “Në fakt, ti kërkon të lash duart me mua, ndërkohë që tuneli i Llogarasë është fillim dhe mbarim urdhër i yt i zbatuar nga unë, mësohet te jete shprehur ajo. Rama, i hutuar, i thotë se ai kishte bindje se Balluku është e pafajshme, por prokurori i kishte thënë se SMS-të e saj me Evis Berberin ishin përvëluese, haptas fare madje, dhe nuk mund të injoroheshin.
“Gënjeshtra, gënjeshtra!”, mësohet se ia ktheu me tërbim Balluku. Ndërkohë Rama, sipas të njëjtave burime, ka mohuar çdo mbajtje informacioni të fshehtë dhe ka sqaruar se SPAK vepron i pavarur. Megjithatë, tensioni raportohet të ketë arritur kulmin kur Balluku ka përmendur numrin e mesazheve të gjetura në dosje, duke pretenduar se “janë me dhjetëra SMS që vërtetojnë se çdo veprim është kryer sipas udhëzimeve nga lart”.
“Kujt i flet ti për SMS? Po të ishte për SMS, në vend timin duhet të ishe ti! Po, ti e di që në dosje janë me dhjetëra e dhjetëra SMS 69 siç më tregoi Pamela se ajo i kishte numëruar, që ti i ke dërguar Evis Berberit për tunelin dhe që faktojnë se Evisi dhe unë jemi koka turku sepse vetëm kemi zbatuar urdhrat tuaj, kurse tani më thua se fakti penal qenkan SMS-të e mia me Visin. Pa më thuaj pak, pse SMS-të e mia me Evisin qenkan provë krimi për ty dhe Preçin, kurse SMS-të tuaj, në të cilat ju urdhëroni për të gjitha veprimet Evisin, nuk janë provë krimi? Kjo nuk kalohet! SMS-të janë në dosje dhe jo vetëm në dosje.
Koka turku se kam zbatuar urdhrat tuaj nuk bëhem unë. Të them se do vish edhe ti me mua!”, mësohet te jete shprehur Balluku. Ndërkohë takimi është ndërprerë për pak kohë kur Kryeministri është larguar për një angazhim të shkurtër, ndërsa pas kthimit, sipas burimeve, debati ka vijuar me ton të lartë. Sakaq në Kryeministri mësohet se gjatë orëve të tensionuara kanë hyrë dhe dalë zyrtarë të lartë, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, i cili dyshohet të ketë pasur komunikime të shpeshta me Ballukun ditët e fundit. Po ashtu, pretendohet se drejt fundit të takimit, përplasja verbale ka qenë aq e fortë sa është përmendur hapur mundësia që çështja të përfshijë edhe figura të tjera të rëndësishme politike.
Madje burimet e brendshme përshkruajnë atmosferën si “dramën më të madhe të viteve të fundit brenda shumicës qeverisëse”. Deri tani, as Kryeministria dhe as Balluku nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi takimin e tensionuar. Ndërkaq, zhvillimet e së enjtes kanë krijuar një tronditje të dukshme në skenën politike, duke hapur rrugën për pasoja të forta në ditët e ardhshme.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se nga e enjtja, Belinda Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nesër në orë 09.00, zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj saj dhe dy vartësve. Me këtë vendim të GJKKO, Balluku është pezulluar nga detyra, pasi është marrë e pandehur për ndërtimin me vlerë 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe dyshohet edhe për tenderin 21 milionë euro të ndërtimit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Kërkesa u bë nga prokurori Dritan Prençi, dhe pas pranimit nga gjykata, Ballukut i është marrë pasaporta, duke e ndaluar të lëvizë jashtë vendit. Përveç nr.2 të qeverisë GJKKO caktoi “arrest në shtëpi” për bashkëpunëtorët, kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezit, drejtor i KESH. Për të dy tenderat, me vlerë totale 210 milionë euro, SPAK thotë se Balluku paracaktoi fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.




