Detaje të reja janë mësuar lidhur me operacionin policor në fshatin Orosh të Pukës, i cili ka filluar që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Burime për mediat bëjnë me dije se banesa e një të moshuari, i identifikuar si Mëhill Jaku, e braktisur prej kohësh, është vënë në qendër të një rrethimi të “hekurt”, pasi dyshohet se aty janë fshehur persona me rrezikshmëri të lartë, të armatosur dhe të vendosur për të mos u dorëzuar lehtë.
Ka qenë Policia e Pukës ajo e cila ka marrë informacione se në këtë banesë është duke u strehuar një person me rrezikshmëri të lartë dhe që kërkohet nga drejtësia. Ndërkohë, më vonë dyshimet u shtuan se brenda objektit mund të jenë dy persona të armatosur dhe se prej një muaji e kanë përdorur këtë banesë si vend strehimin e tyre.
Kjo ka bërë që banesa “të blindohet” menjëherë nga forcat vendore dhe të kërkohet ndihma urgjente ne RENEA-s nga Tirana, si dhe strukturave anti-terror nga Shkodra.
E gjitha kjo po ndodh në një zonë të thellë malore, ku komunikimi është i vështirë dhe sinjali telefonik pothuajse mungon, çka e ka bërë situatën akoma më të tensionuar dhe informacionet të kufizuara.
Megjithatë, ajo që dihet deri tani është se shtëpia e rrethuar i përket gjyshit të një prej personave të kërkuar nga policia. Forcat speciale kanë kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të personave që dyshohet të jenë brenda, ndërsa zona rreth banesës, e cila ndodhet pranë shkollës së Oroshit, mbetet e izoluar plotësisht.
Pavarësisht numrit të lartë të policisë, deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare dhe nuk dihet asgjë për identitetin e dy të dyshuarave.




