Fjoralba Dule, mësuesja nga Korça nuk arriti që të fitonte betejën me kancerin! Pavarësisht forcës që mësuese Fjorin e karakterizonte, dashurisë për jetën, sëmundja e keqe doli e pamëshirshme dhe e shkëputi atë përgjithmonë nga gjiri i ngrohtë i familjes, duke ja hequr kështu mundësinë për të parë duke u rritur dy engjëjt e saj të cilët i donte fort.
Përpos familjarëve, humbja e saj ka lënë në zi të gjithë komunitetin e juglindjes, të cilët patën fatin të njohin një njeri si ajo ishte, plot vlera, gojë ëmbël dhe që gjithmonë dhe kurdoherë ishte aty, për nxënësit e saj.
Në dhimbje të madhe janë dhe kolegët e Fjorit të cilët këtë dhimbje që po ua mban shpirti e kanë shprehur mes rreshtave nëpër rrjetet sociale.
Një prej tyre ka qenë edhe Danjela, kolegia e saj, por dhe mësuesja e birit të Fjoralbës, Gentonit, të cilin e “dogji malli” përgjatë gjithë kësaj kohe kur e ëma ishte duke u kuruar në Stamboll.
“E mira Fjori….Luftove shumë me sëmundjen e rëndë sepse ti ishte plot jetë dhe dashuri. Të jepte forcë të luftoje dashuria dhe meraku për fëmijët e tu të mrekullueshëm. Gentoni dhe ti, kishit shumë mall për njëri-tjetrin dhe herë pas here të dërgonim foto që të çmalleshe sado pak.
Vetëm para pak ditësh në një detyre klase, Gentoni i formoi të gjitha fjalitë rreth teje dhe Pegit. – Të ka marrë malli?- e pyeta. -Po, më tha dhe uli kokën. Qofsh e Parajsës e dashur Fjori! Do të na mungosh të gjithëve”, shkruan ajo.
Fjori, do të kujtohet gjithmonë nga miqtë, të afërmit, familjarët e nxënësit e saj, si një njeri plot dritë e dashuri dhe e përkushtuar në profesionin e saj. Sëmundja e tmerrshme e mposhti, por kujtimi i saj do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e deshën dhe e respektuan.




