Një atentat me armë zjarri është regjistruar sot në qytetin e Lushnjës, ku ka mbetur i plagosur në këmbë 45-vjeçari Julian Sulo, i njohur edhe më nofkën “Juli i Pashakos”.
Sulo, i cili zotëron një lokal dhe një lavazh në qendër të këtij qyteti, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi për vite me radhë është përmendur në disa ngjarje të rënda kriminale, për të cilat ai ka mohuar ose nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta mbajtur të ndaluar.
Gjithashtu ai njihet edhe për armiqësinë me Aldo Baren, përplasjet mes të cilëve kanë vijuar me vite me radhë.
Emri i Sulos doli për herë të parë në qershorin e vitit 2016, kohë kur ai u plagos rëndë në një pikë bastesh pas ndeshjes Shqipëri–Zvicër. Sulmi, sipas burimeve hetimore të asaj kohe, dyshohej se ishte kryer nga Arjan Aliço, i njohur si “Arti i Braçes” dhe i lidhur më herët me grupin e Aldo Bares. Sulmi ndaj Sulos u krye me thikë dhe sende të forta, ndërsa ai u gjet në gjendje kritike buzë rrugës dhe u shpëtua nga një kalimtar.
Më pas ai u përfol sërish në tetor të 2016 ku ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, të njohur si miq të nipit të Aldo Bares, Laert Haxhiut. Sulo u vetëdorëzua në polici atëherë si një ndër personat e shoqëruar për verifikime, por u la i lirë për mungesë provash.
Më herët është raportuar se pas plagosjes së rëndë, Sulo lëvizte i armatosur dhe efektivët ishin në dijeni. 45-vjeçari mbante armën pasi i druhej një atentati të dytë.
Ndërkohë në vitin 2019, policia zbarkoi në banesën e tij, i cili asokohe nuk u gjet në shtëpi. Kontrollet në shtëpinë e 45-vjeçarit erdhën pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Ai u përmend nëpër media si person nën verifikim për dyshime të mundshme mbi lidhje me Redjan Rrajën, i arrestuar atëherë si i dyshuar për atentatin ndaj Arjan Ndojës.
Ngjarja e sotme risjell emrin e tij në qendër të vëmendjes, ndërsa policia e Lushnjës ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave. Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të merret në pyetje nga hetuesit për të ndihmuar në zbardhjen e motivit të mundshëm të atentatit.
“Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia më herët.




