“Në Shqipëri kemi shumë zona që janë tokë pa zot. Afër Rinasit kemi një zonë që është tokë pa zot dhe u desh vrasja e fundit që aty të zbulohej një arsenal armësh”.
Kështu u shpreh gazetari Elkier Bushkolaj në A2CNN. Sipas tij, sa herë shkon Policia e Shtetit aty, zbulohet prapë një arsenal armësh.
“Çfarë ndodh? Ia hoqën Durrësit, e ka pasur Drejtoria e Policisë së Durrësit dhe ia sollën Tiranës. Ishte një lëvizje shumë e mirë. Por, problemi është që nuk prodhoi efektivitet. Ndodhi vrasja e Gentian Betës, ndodhi vrasja e Rinasit, ndodhën një seri ngjarjesh kriminale që tregoi që nuk kishte lidhje me Policinë e Durrësit, por kishte lidhje dhe me paaftësinë e Tiranës, që në fund ditës po flasim për strukturën që ka elementët më të mirë në Policinë e Shtetit dhe sërish situata atje është tokë pa zot”, tha Bushkolaj.
Në lidhje me vendet e trajnimit të grupeve kriminale, gazetari shpjegoi: “Shumë prej grupeve kriminale kanë bazat e veta. Për shembull, në qytetet e mëdha janë zona të caktuara. Kirasi ka një grup kriminal që operon në atë zonë. Një grup kriminal tjetër operon në tjetër lagje të Shkodrës. Tirana ka zonat e veta specifike. Një grup kriminal për shembull operon në Fresk, një tjetër grup kriminal mund të operojë në Yzberisht apo në Astir”.




