Lajmi i trishtë për ndarjen e papritur nga jeta të këngëtarit të mirënjohur Shpat Kasapi ka tronditur publikun mëngjesin e sotëm.
40-vjeçari nga Tetova, i cili e nisi karrierën që fëmijë, ishte një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare, i njohur për baladat dhe hitet e pavdekshme si “Axhami”, “Pa ty s’jetoj” dhe “Kush të ndau prej meje”.
Sipas detajeve të fundit të raportuara nga gazetarja e Euronews Albania, Ferikan Iljazi nga Maqedonia e Veriut, konfirmohet se artisti ka ndërruar jetë herët në mëngjes pas një sulmi në zemër.
Raportohet se ai nuk i ka mbijetuar atakut kardiak, ndërsa theksohet fakti tronditës se ai nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër më parë.
Kjo humbje e befasishme bëhet edhe më e rëndë pas konfirmimit se artisti ishte përgatitur për një rikthim të madh në ekran, pasi ishte konfirmuar zyrtarisht si banor i edicionit të ardhshëm të “Big Brother VIP Albania 5”.
Anton Prendi, menaxheri dhe miku i Shpat Kasapit ka folur në “Shqipëria Live” për ndarjen e papritur nga jeta të artistit.
Ai tha se e ka të vështirë ta besojë pasi Shpati nuk ka patur probleme shëndetësore të mëparshme që të sillnin atakun kardiak. Ai shtoi se kishte dashur ta shihte Shpatin sa më të suksesshëm.
“Shpresoja që gjithçka të ishte ëndërr. Është e vështirë të besoj se nuk është më. Njihemi prej shumë vitesh por prej 3 vitesh punonim bashkë. Mesa di unë nuk ka patur probleme shëndetësore. Ai donte të hynte në ‘Big Brother vip’, ishte dëshirë e të dyve. Unë kam insistuar më shumë. Biseda e fundit ka qenë për këngën që do bënte me Erik Lloshin.
I biri ka probleme me të folurën dhe po mjekohej për këtë gjë. Shpati ishte i përkushtuar tek ai. Shpati ishte i afruar me të gjithë. Nuk kishte debate me askënd. Unë do doja ta shihja sa më lart, i kishte mundësitë për të qenë shumë i skusesshëm.”- tha ai.




