Kryeministri vijon të bëjë protagonistin në mediat e huaja
Në episodin më të fundit të podcastit “East Side Stories”, pjesë e projektit “European Voices”, gazetarët Martyna Czarnowska dhe Thomas Seifert zhvilluan një intervistë të gjerë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, e fokusuar te procesi i integrimit evropian, politika rajonale dhe ndikimet e jashtme në Shqipëri.
Mes çështjeve të prekura, veçanërisht spikatën komentet e Ramës për Jared Kushner, Alex Soros dhe marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara.
Rama u pyet për projektet e profilit të lartë në Shqipëri, përfshirë investimet e planifikuara nga Jared Kushner në zonën e Vlorës, si dhe lidhjet e tij me Alex Soros. Kryeministri theksoi se marrëdhëniet me të dy janë të karakterit personal e afatgjatë: “Të dy (Kushner dhe Soros) janë miqtë e mi. Mund të mos e pëlqejnë njëri-tjetrin, por kjo u përket atyre, jo mua. I kam njohur të dy prej kohësh dhe këto miqësi e investime do të mbijetojnë pavarësisht politikës.”
Rama nënvizoi se asnjë prej këtyre marrëdhënieve nuk lidhet me preferencat politike në SHBA, duke thënë se Shqipëria është “shtëpia e çdo miku që kemi”. Nga ana tjetër ai ka “thumbuar” SHBA: “Amerikanët s’kanë durim, ata i rregullojnë punët me bomba dhe pastaj predikojnë“.
Por fakti që Rama siluron SHBA dhe krenohet me Sorosin, tregon se diçka e shqetëson Bablokun. Gojët e liga flasin se SHBA e ka futur në rreth të kuq dhe fakti që ai tentojë të luaj dhe të dërgojë mesazhe e shton akoma më shumë këtë dyshim.
Pjesë nga biseda
1. Pse duhet Evropa të pranojë Shqipërinë?
“Mendoj se kjo lidhet me tablonë e madhe. Nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, Ballkanin Perëndimor, dhe vetë Bashkimin Europian. Nuk është e qëndrueshme që kjo pjesë e Europës të mbetet e shkëputur nga BE. Është një situatë unike në histori: BE ka një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm, dhe brenda këtij kufiri të brendshëm është Ballkani Perëndimor. Për arsye që lidhen me sigurinë e Europës, kohezionin e saj dhe unitetin e saj, është krejtësisht e qartë për mua se nuk ka rrugë tjetër përveçse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE.”
2. Çfarë ka ndryshuar nga koha kur Macron bllokoi negociatat?
“Siç thatë, atëherë ishte një kohë tjetër. Fatkeqësisht BE e kishte humbur vëmendjen ndaj së ardhmes dhe rëndësisë strategjike të zgjerimit, të cilin unë e quaj ‘ribashkim’, sepse nuk është zgjerim i vërtetë kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor që është në mes. Tani koha ka ndryshuar. Shumë gjëra kanë ndryshuar, më e rëndësishmja niveli i sigurisë që BE ka për vetveten. Sot BE nuk ndihet aq e vetë-mjaftueshme sa disa vite më parë. Shpresoj të mbetet kështu, sepse gjërat mund të ndryshojnë sërish.”
3. Afati 2030 për anëtarësimin
“Nuk e kam thënë ashtu shabllon. E kam thënë mbi një marrëveshje që kemi me Komisionin Europian për të mbyllur negociatat brenda 2027-s. Ka një plan, afate dhe shumë blloqe pune që duhen trajtuar. Pra nuk jemi vetëm ne, është proces i përbashkët me Komisionin. Afati 2030 vjen duke llogaritur edhe dy vitet e ratifikimit në parlamentet e vendeve anëtare. A mund të ndryshojë? Sigurisht, por nëse ndryshon, nuk do të jetë për fajin tonë.”
4. A është Shqipëria gati institucionalisht?
“Do të bëhemi Austri brenda dy vitesh? Po ju them: Jo, aspak. Por procesi i anëtarësimit lidhet me parime e kritere të qarta që duhen plotësuar në total. Lufta me këtë apo atë problem është e pafundme për çdo vend. Ne do të vazhdojmë edhe pas anëtarësimit. Për momentin nuk shoh rrezik nga ‘mos-tretja’, por më vonë do të duhet të bëjmë akoma më shumë.”
5. SPAK dhe kostoja e reformës në drejtësi
“Nuk është diçka që s’e kemi parashikuar. E kam thënë që para se të ekzistonte SPAK-u se na duhej një mekanizëm drejtësie që të provonte pavarësinë e vet duke hetuar, ngritur akuza dhe dënuar pavarësisht se kush është pala. Nuk është një shëtitje në operë, është e dhimbshme, e hidhur, por është rruga e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gabime? Patjetër. Por një gjë s’duhet prekur kurrë: pavarësia që u kemi dhënë.”
6. Aeroporti i Vlorës / Laguna e Nartës
“Nuk e di me cilët zyrtarë keni folur, por kemi qenë shumë të qartë se projekti nuk është i dëmshëm. Aty ka pasur aeroport prej kohësh, nuk po ndërtojmë një aeroport aty ku nuk ka qenë kurrë. Kuptoj njerëzit që mendojnë se vendet duhet të mos ndërtojnë asgjë, vetëm të ruajnë natyrën, e respektoj atë mendim, por nuk është e zbatueshme. Duhet ndërtuar dhe duhet gjetur balancë. Aeroporti do të hapet vitin tjetër dhe investimet nisin gjithashtu vitin tjetër.”
7. Kushner-Soros
“Po, të dy, si Kushner ashtu edhe Soros, janë miq të mi. Mund të mos e pëlqejnë njëri-tjetrin, megjithëse nuk jam i sigurt, por mund edhe të mos e pëlqejnë. Kjo u përket atyre, jo mua. Unë e kam njohur Jared-in në një kohë kur nuk dihej nëse vjehrri i tij do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë. Dhe kjo nuk kishte rëndësi për mua atëherë, as nuk ka sot, sepse unë mendoj se kjo është një miqësi dhe një investim afatgjatë, që do të jetojë më gjatë se vetë Trump. Nuk është aspak një miqësi politike.
Sa për Alex-in, e njoh prej shumë kohësh dhe jemi miq. Dhe është njësoj, pavarësisht nëse pala e tij është në pushtet apo nën sulm në Shtetet e Bashkuara. Nuk është puna ime ta gjykoj apo të jem pjesë e asaj. Këtu është Shqipëri, dhe është shtëpia e çdo miku që kemi. Të dy janë në shtëpinë e tyre këtu.”
8. Bashkëpunimi rajonal dhe kritikat e Brukselit
“Në këtë drejtim kam një rekord shumë të pastër: s’kam hyrë në asnjë konflikt me askënd. Sot gjërat janë shumë ndryshe nga e kaluara, shumë më paqësore dhe ka më shumë bashkëpunim. Në 10 vitet e fundit është bërë më shumë se në 1000 vitet para tyre. Nuk duhet të ankohemi, ata në Bruksel duhet ta shohin gotën gjysmë plot.”
9. Balancimi mes Perëndimit, Rusisë, investitorëve
“Sa më shumë e do BE-në, aq më e ashpër bëhet. Ne jemi shumë të vegjël për të zgjedhur anë, duhet të flasim me të gjithë. Me Rusinë kemi një histori të veçantë: u ndamë në vitin 1960 sepse ne donim të mbanim Stalinin, ata jo. Për këtë arsye në 35 vite demokraci as ne s’kemi shkuar në Rusi, as ata s’kanë ardhur. Dhe nuk na mungon. Por BE-ja duhet të flasë me Rusinë. Nuk mund t’ia delegojë politikën e jashtme Amerikës. Rusia është fqinji i Europës, jo i SHBA-ve.”
10. Rreziku nga Rusia
“Nuk jam aspak i shqetësuar. Nuk besoj se Rusia do të sulmojë një vend të BE-së. Nuk po arrin të mposhtë ushtrinë ukrainase aty ku ka ambicie imperialiste, jo më të sulmojë BE-në. Provokimet janë pjesë e strategjisë.”
11. A pritshmëri të tepruara për BE-në?
“Keni parë ndonjë që do të martohet dhe ka pritshmëri të ulëta? Nuk mund t’ia ulësh pritshmëritë askujt që do të martohet. Është mirë të kesh pritshmëri të larta, të japin energji për të bërë gjëra. BE-ja është burim energjie pozitive për vendin.”
12. Procesi i negociatave si transformim
“Njerëzit nuk e kuptojnë se negociatat me BE-në janë një proces i jashtëzakonshëm transferimi dijeje. Nuk bëjmë detyra për t’i bërë qejfin Brukselit, por për ta ndryshuar Shqipërinë, për ta bërë më europiane dhe më demokratike. Asnjë fuqi tjetër nuk t’i mëson institucionet, amerikanët s’kanë durim, ata ‘i rregullojnë punët me bomba’ dhe pastaj predikojnë. Vetëm BE-ja e ka këtë proces të gjatë. Nëse heq BE-në nga ekuacioni i Shqipërisë në këto vite, do të ishim një vend krejt tjetër – shumë më keq. Është plot me ‘ilaçe të hidhura’, por janë ilaçe, jo helm.”
13. Pastrimi i parave / ndërtimi në Tiranë
“Nëse shikon shifrat e parave të drogës që pastrohen në Europë, Shqipëria është shumë e vogël për t’i larë ato miliona. Sigurisht që kemi probleme, po jo në atë shkallë sa disa duan të bëjnë bujë europiane.”
14. Shqipëria, vend me shumicë myslimane në BE
“Nëse të gjithë myslimanët do të ishin si myslimanët e Shqipërisë, Allahu dhe Jezusi do të ishin më të lumturit për njerëzimin. Unë jam katolik; gruaja ime është myslimane; dy fëmijët e mëdhenj janë ortodoksë; i vogli do të zgjedhë vetë.
92% e shqiptarëve janë të dashuruar me BE-në. Ne ndihemi europianë, jemi europianë – Europa është feja jonë kryesore, të tjerat janë nën-fe. Kur të hyjmë në BE, ndoshta kjo ‘fervor’ do të bjerë pak, por për momentin jemi fanatikë.” /Pamfleti




