I mbronte “shpatullat” Visit të Pojës dhe shiste infot e kolegëve, oficeri i Antit*rrorit lë pa ‘mend’ gjykatën, ja cfare deklaroi

Gjykata ka lënë në qeli Igli Haxhiajn, oficerin e Antiterrorit i cili ra në pranga një ditë më parë në kuadër të operacionit të përbashkët mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.

Haxhiaj, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e “Visit të Pojës”, u arrestua një ditë më parë në ambientet e Akademisë së Policisë, aty ku ndodhej i angazhuar në një kurs tre mujor për specializim për çështjet të Antiterrorit.

Operacioni u zbatua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa arrestimi i tij suprizoi kolegët e tij, pasi oficerit iu vendosën prangat pikërisht gjatë orëve të trajnimit.

Në Gjykatë ai ka pretenduar se i kanë përdorur emrin dhe se asnjëherë nuk ka përdorur “SkyECC”.

Autoritetet italiane së bashku me ato shqiptare arritën që të godasin sërish grupin e Elvis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës. Me një profil të lartë kriminal, Visi i Pojës njihet si kreu i një prej bandave më të forta kriminale në Durrës.

Nga hetimet e fundit ka rezultuar se ky grup kriminal ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut në Europë (pjesën veriore të saj), përmes rrugëve detare, duke e eksportuar, përmes rrugëve tokësore në automjete të tonazhit të rëndë, drejt Italisë.

Visi i Pojës ishte shpallur në kërkim nga SPAK nga megaoperacioni “Ura”, ndërsa tashmë në kërkim është shpallur dhe nga autoritetet italiane së bashku me bashkëpunëtorë të tij. Në total Gjykata e Breshias ka lëshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 21 persona, 10 prej të cilave janë ekzekutuar, por ende nuk dihet saktësisht se kush ka rënë në pranga në shtetin italian.

3 persona janë arrestuar në Shqipëri ndërsa u arrestua dhe oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj.

Ky i fundit, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale për procedimin penal në fjalë u ka zbuluar personave të dyshuar, të dhëna të akteve procedurale që përbënin “sekret hetimor”.

Ai ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin,  që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.