Ilir Meta “pentito” i “21 Janarit”? Cfare di ai qe mund të ndryshojë historinë e vr sjeve në bulevard,…

Ilir Meta pritet të rrëfejë sekrete që mund të ndryshojnë historinë e vrasjeve në 21 janar 2011. Ish-presidenti kërkon të dëshmojë në SPAK dhe pretendon se ka informacion të panjohur që mund të hedhë dritë mbi katër ekzekutimet e bulevardit. Meta dërgoi së fundmi një shkresë zyrtare ku kërkon të merret në pyetje si “person në dijeni”, duke deklaruar se disponon të dhëna të vlefshme që grupi hetimor nuk i ka. Dëshmia e ish-presidentit thuhet se mund të prekë figura politike të profilit të lartë dhe të zbulojë përgjegjësi të fshehura që kanë mbetur jashtë hetimeve. SPAK duhet të vendosë se si dhe kur do të thirret Meta, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha që informacioni i tij të hedhë dritë mbi ngjarjet dhe të ndryshojë rrjedhën e hetimit, pasi burime bëjnë me dije se ish-presidenti nuk do të kursejë askënd.

Çfarë di Ilir Meta?

Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, komentoi dje gatishmërinë e Metës për të dëshmuar lidhur me ngjarjet e 21 janarit. Haxhinasto tha se Meta zotëron informacion të gjerë për atë që ka ndodhur dhe për paralajmërimet që, sipas tij, janë bërë para protestës. Sipas deputetit, kishte të dhëna se protesta do të ishte e dhunshme, por institucionet nuk morën masat e nevojshme. Ai shtoi se paralajmërimet vinin nga ambasada dhe institucione të specializuara, por pavarësisht kësaj, nuk u ndërmor veprimi i duhur për të shmangur përshkallëzimin. “Nuk kam informacion konkret, por ai ka shprehur se ka pretendimet që janë reale për të cilat gjërat dihen botërisht që njoftimi ka qenë që do ketë një demonstrim të dhunshëm dhe nuk janë marrë masat e duhura për të ndaluar këtë. Ka pasur informacion nga ambasadat, institucionet e specializuara dhe masat nuk ishin të tilla për ta ndaluar diçka të tillë.

Meta ka informacion të gjerë për këtë çështje ndaj është ofruar për të dëshmuar”, u shpreh ai. Gjithashtu dhe avokati i tij Kujtim Cakrani  foli edhe për kërkesën e Metës për të dëshmuar për krimin shtetëror të 21 janarit, teksa tha se krahas dëshmisë, ai do të japë edhe dokumente që kanë qenë sekrete deri më tani. “Jemi në pritje të një përgjigje nëse zoti Alfred Shehu. Ai do të jetë në dispozicion të japë shpjegimet e tij, jo vetëm me fjalë por që do t’i pasqyrojë me prova, akte dhe dokumente që deri sot nuk janë bërë publike për shkak të konfidencialitetit të tyre. Janë edhe sekret shtetëror, që aksesin e ka vetëm organi i procedurës”, u shpreh Cakrani. Kujtojmë se disa muaj më parë Meta ka bërë përgjegjës Lulzim Bashën për 21 janarin, i cili në atë kohë ka qenë ministër i Brendshëm.

“Është shumë e qartë që nëse ka një përgjegjësi në 21 Janar, është një përgjegjësi direkte e Lulzim Bashës, ministrit të Brendshëm të asaj kohe i cili është paralajmëruar dhe zyrtarisht, për gjakderdhjen që parashikohej të bëhej nga banditët e Edi Ramës. Dhe e ka pasur dhe me letër, ka pasur dhe me shkresë të gjithë skenarin, dhe I cili nuk kishte marrë asnjë masë, as nga policia, as nga garda për të parandaluar ato vrasje të shëmtuar, që ndodhën në bulevard, dhe që ishin si rezultat i projektit gjak derdhës së vetë Edi Ramës.  Sepse, ishte ai nxitësi, frymëzuesi i dhunës së 21 Janarit”, tha ai.

Basha i kujtoi Metës akuzat për Berishën

Lulzim Basha, iu përgjigj Ilir Metës për deklaratat e tij. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha u shpreh se drejtësia ka shumë për të zbardhur 21 janarin dhe ky hetim nis që nga Ilir Meta që është njeriu me bllok, tek Edi Rama si organizator i protestës. Në videon e shpërndarë në Facebook kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin, Basha shkruan se Meta i bënte akuza nga më monstruozet Berishës, ndërsa sot e merr në mbrojtje. “Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin.

Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund. Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast. Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj”, shkroi Basha.