Çfarë do të bëhet me ata të cilët ‘vajtojnë’ ditën e Çlirimit të Shqipërisë?

Nga Aranit Muraçi

Debati i tejzgjatur politik se kur u çlirua Shqipëria është tregues i qartë i rrënimit dhe i mjerimit tonë historik, intelektual, akademik. Është mjerimi më i qartë i një debati si shumë debate të tjerë që shkojnë kundër interesit dhe përparimit tonë kombëtar.

Një debat i tillë i pavlerë, i parëndësishëm dhe i pavend është sa i dëmshëm, po aq edhe toksik për opinionin publik.

Një debat i tillë ngjan me pretendimet që kanë ngritur “hamzallarët” në oborrin e Skënderbeut – të kompleksuar si Hamzai nga madhështia e xhaxhait të vet –  apo dhe haxhiqamilët që u rebeluan në oborrin e Ismail Qemalit, u ngritën, dogjën e plaçkitën çka mundën që u doli para syve, çdo pasuri dhe histori tonën të përbashkët.

Mosmarrëveshjet në dëm të interesit kombëtar e çojnë ujin në mullirin që rri e pret të armiqve historikë të cilët mohojnë ekzistencën e kombit shqiptar dhe sot e kësaj dite me prova të skaduara “akademike” ende disa prej tyre pretendojnë se, shqiptarët nuk janë një popull i denjë për vet-qeverisje në një sistem demokratik. Dhe si të tillë nuk kanë asgjë të ngjashëm me popujt e tjerë europianë. Ky debat politik veçse minon provat e vërteta shkencore akademike dhe duket sikur ka për qëllim t’i thotë Europës se, ‘ne jemi të denjë për diktaturë ose të qeverisemi nga të huaj’.

Debati që mbahet i ndezur për 35 vite se kur iku gjermani i fundit jo rastësisht nuk ekziston në ndonjë vend tjetër të Europës. Pse? Mos luftuan vetëm shqiptarët kundër fashizmit? A nuk janë ende gjallë dëshmitarët për ta shkruar historinë me saktësi? A nuk janë austriakët bashkë me gjermanët sot aleatët tanë më të fortë të Europës, në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare dhe mund t’iu ishte deleguar me kohë ta zgjidhin ata me qetësi orën e saktë se kur ikën me ose pa “dashuri” nga Shqipëria?

Në çdo vend tjetër ekzistojnë mosmarrëveshje të brendshme, por kudo ato janë parimore, të kanalizuara dhe të kufizuara kur bien ndesh me interesin kombëtar. Thënia lapidare e Victor Hygo, – “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat!”- u shkon për shtat dy kategorive që mohojnë luftën dhe sakrificën për liri të heronjve të vërtetë. Kio thënie u shkon për shtat në vendin tonë të gjithë maskarenjve dhe horrave që e ndezën dhe e mbajnë gjallë këtë debat.

Jo data, por simbolika e çdo lufte ndaj çdo pushtuesi dhe çlirimi i atdheut kanë rëndësi, prandaj ata të cilët vajtojnë për Ditën e Çlirimit, politizojnë gjakun dhe sakrificat e të rënëve për liri, si të çdo lufte tjetër, duhet të përgjigjen:

Ç’rëndësi ka data? Si do të mund të prezantohen me seriozitet dhe si mund ta fitojnë debatin historianët dhe akademikët shqiptarë, në kontradiktat dhe mosmarrëveshjet historike që do të kenë me kolegët e vendeve të tjera, kryesisht të vendeve fqinje?

28-a apo 29-a? Nëse nuk saktësojmë dot ditën e çlirimit 81 vite më parë, si do të mund të shquhen për saktësi historianët dhe studiuesit tanë rreth betejave, momenteve dhe datave historike ndër-shekullore të shqiptarëve në qëndresën e tyre për liri, që nga pushtimet antike të romakëve, tek ato otomane e deri te luftrat ballkanike për zaptimin dhe shqyerjen e territoreve shqipfolëse?

Është kohë e vonuar që debati toksik politik dhe ndryshimi i datës së Çlirimit, me dashje dhe pa prova ose qoftë i padjallëzuar, në lidhje me pasojat dhe dëmet që ka shkaktuar, t’i jepet fund dhe të rregullohet pse jo me ligj si “një vepër e pastër kundër interesit tonë kombëtar’.

Kjo është ajo që mbetet për t’u trajtuar me seriozitet nga historianët, intelektualët, studiuesit, akademikët sa më larg “helmit” politik, që përhapet në publik.