Policia belge bastisi shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel të martën, së bashku me Kolegjin e Evropës në Bruges dhe shtëpi private, si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të BE-së. Euroactiv raporton duke iu referuar njerëzve të njohur me hetimin dhe dëshmitarëve, se bastisje u zhvilluan në të gjithë Belgjikën në orët e para të mëngjesit.
Policia sekuestroi dokumente dhe arrestoi tre persona për t’i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal.
Sipas mediave ndërkombëtare në mesin e të arrestuarve është edhe rektorja e kolegjit të Europës Federica Mogherini.
Rreth 10 oficerë të veshur me rroba civile hynë në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në orën 7:30 të mëngjesit të së martës, tha një dëshmitar okular. Një zyrtar tjetër i BE-së nga shërbimi diplomatik i BE-së konfirmoi bastisjen.
Hetimi penal filloi pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, shkolla prestigjioze e trajnimit pasuniversitar për eurokratët, keqpërdorën paratë publike të BE-së në vitet 2021 dhe 2022, sipas katër personave me njohuri për hetimin.
Bastisjet janë skandali i fundit i madh që godet institucionet e BE-së dhe do të shtojnë presionin mbi Kolegjin e Evropës dhe rektoren e tij, Federica Mogherini, e cila dikur drejtonte EEAS-in dhe filloi një mandat të dytë pesëvjeçar në Bruges këtë vit. (A2 Televizion)
Autoritetet belge bastisën zyrat e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), krahut diplomatik të bllokut, të martën në mëngjes, si pjesë e një hetimi kundër mashtrimit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë edhe për bastisje në ambientet e Kolegjit të Evropës në qytetin e Bruges, i cili merr fonde nga institucionet e BE-së, të cilat u kontrolluan gjithashtu si pjesë e operacionit.
Shtëpitë private të individëve në Belgjikë u kontrolluan gjithashtu dhe tre persona janë ndaluar, thekson më tej Euronews.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) kërkoi bastisjet si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me një projekt trajnimi të financuar nga BE për diplomatë të rinj.
Në një deklaratë, EPPO tha se hetimi është i përqendruar në Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një trajnim nëntëmujor për diplomatë të rinj dhe i dhënë në bazë të një tenderi të BE-së Kolegjit të Evropës në Belgjikë midis viteve 2021 dhe 2022.
Autoritetet po hetojnë nëse EEAS shkeli rregullat e saj të tenderimit duke ndarë informacion me Kolegjin para se projekti të jepej.
“Mund të konfirmojmë se policia ishte sot në ndërtesën e EEAS-së”, ka thënë një zëdhënës i BE-së të martën, duke specifikuar se hetimi në vazhdim lidhet me aktivitete që u zhvilluan “në mandatin e mëparshëm”.
Zëdhënësi nuk pranoi të komentonte nëse tre të dyshuarit e ndaluar ishin zyrtarë të BE-së.
Por siç raporton Ansa, Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, është midis të arrestuarve.
Rektorja e Kolegjit të Evropës është aktualisht Federica Mogherini, e cila ishte në krye të EEAS-së midis viteve 2014 dhe 2019.
Ajo u pasua nga Josep Borrell, i cili u zëvendësua nga shefja aktuale e politikës së jashtme Kaja Kallas në dhjetor 2024.
Në deklaratën e saj, EPPO specifikoi se ka “dyshime të forta” se rregullat e BE-së mbi “konkurrencën e ndershme” u shkelën gjatë procesit të tenderimit dhe se “informacioni konfidencial në lidhje me prokurimin në vazhdim u nda me një nga kandidatët që morën pjesë në tender”.




