Florina Cani, nëna e Martin Canit, ka reaguar në lidhje me vdekjen e 15-vjeçarit Erion Boba, i cili ndërroi jetë pas nëntë ditësh pasi u qëllua 4 herë me thikë nga një bashkëmoshatar.
Florina Cani në një mesazh për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, shkruan se i është tronditur shpirti sërish, teka thekson se shkolla duhet të vend sigurie, jo lufte.Ndërsa më tej, nëna e Martin Canit shkruan se emrat e fëmijëve nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës.
“Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme. Pse nuk reagojnë institucionet? Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni.
Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës, janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë. Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë. Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën. Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë”-thuhet në mesazh.
Nëntë ditë pasi qëndroi në gjendje të rëndë në spital, ka ndërruar jetë në QSUT 15-vjeçari, i cili u plagos me thikë pas një sherri mes bashkëmoshatarësh në qytetin e Durrësit.
Erion Boba nuk mundi t’i mbijetonte plagëve në pjesën e kraharorit, pasi plagët e marra nga goditja më thikë nga bashkëmoshatari i tij ishin fatale për të.
15-vjeçari ishte i shtruar në Reaminacionin Qendror të Spitalit “Nënë Tereza” dhe ndarjen nga jeta të tij e ka njoftuar Ambulanca e Morgut si dhe Drejtoria e Policisë Durrës.
Të shtunën mjekët e nxorën nga intubimi por gjendja e të miturit u përkeqësua dhe e kthyen në intubim e më pas u dërgua në Tiranë.
Ky rast sjell në vëmendje tragjedinë e 14 nëntorit 2024, ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën pasi u qëllua me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tij.




