E fundit! Avioni i nisur nga Aeroporti i Kryeqytetit shqiptar del nga pista ne Stamboll, vjen njoftimi urgjent

Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi ka njoftuar se një incident ajror ka ndodhur sot në Aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll, ku një aeroplan i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, ka dalë nga pista menjëherë pas aterrimit.

Avioni që realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll, me numër TKJ76Q / VF102, pas prekjes së pistës ka devijuar nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës.

Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, duke zbritur përmes shkallëve të jashtme, pa pasur nevojë për përdorimin e rrëshqitësve emergjentë.

Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa udhëtarët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre nga aeroporti drejt destinacioneve përkatëse.

Në një deklaratë të saj, kompania AJet ka konfirmuar se aeroplani ka kryer një aterrim të rregullt, por gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë prekur zonën.