Kryeministri Edi Rama, në përmbledhjen javore të zhvillimeve kryesore, foli për projektbuxhetin e vitit 2026, duke theksuar se pagat dhe pensionet do të rriten sërish dhe se viti i ardhshëm pritet të nisë pozitivisht për qytetarët.
Rama u ndal te dëgjesat publike për buxhetin, duke theksuar se prioritet mbeten të ardhurat e familjeve, investimet publike dhe mbështetja sociale. Ai tha se rritjet e paralajmëruara për pagat dhe pensionet do të jenë historike, ndërsa investimet në infrastrukturë do të vijojnë në nivele të larta.
“Kemi qenë në dispozicion të qytetarëve përmes dëgjesave publike të buxhetit të vitit të ardhshëm, një vit që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët, si për të ardhurat në paga e pensione, ashtu edhe për investimet publike, që do të shënojnë sërish një rritje historike”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet tashmë në një tjetër nivel zhvillimi dhe kjo do të reflektohet çdo vit në jetën e qytetarëve – si për punonjësit e sektorit publik dhe atij privat, ashtu edhe për pensionistët dhe shtresat në nevojë, të cilat do të përfitojnë rritje të mbështetjes sociale.
Rama shtoi se mbështetja politike e marrë nga qytetarët, me 83 mandate, e detyron qeverinë të vijojë me ritëm të lartë reformash dhe investimesh.
“Ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë. Barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që na detyron të rrisim punën përditë”, tha kryeministri. /skyweb.al




