Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Zakynthos të Greqisë teksa një 2-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua barbarisht nga qeni Pitbull i familjes.
Autoritetet kanë arrestuar babain shqiptar të fëmijës 2-vjeçar dhe mamanë britanike të akuzuar për neglizhencë. Shqiptari ka deklaruar se ishte vajza e vogël e cila e thirri të atin duke bërtitur pasi 2-vjeçari u sulmua nga qeni.
“Vajza ime e vogël më thirri dhe unë vrapova shpejt, kjo është e gjitha që mbaj mend. Djali im i vogël iku”, tha babai i djalit për Alpha.
Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, çifti, i cili ka edhe dy fëmijë të tjerë, ishte nisur për të blerë furnizime për shtëpinë dhe kur u kthyen pak pas mesditës, djali i vogël i shpëtoi vëmendjes dhe shkoi drejt pemës ku ishte lidhur pitbulli që e sulmoi duke i shkaktuar lëndime të rënda.
“Qeni ishte endacak, e kishin hedhur dhe e morëm sepse njerëzit në fshat bërtisnin se do t’i hante kafshët. E mora që të kishte një vend për të qëndruar dhe e hëngri fëmijën tim. Fëmija më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë”, shtoi babai i fëmijës.
Prindërit e fëmijës e çuan atë në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët luftuan për ta mbajtur në jetë, por për fat të keq nuk ia dolën.




