Mjeshtri i madh i artit, profesor Zhani Ciko feston sot 80 vjetorin e lindjes dhe në këtë ditë të veçantë për të, e motra Ekaterina Toska i ka bërë një urim të veçantë. Ajo shkruan se me punën e palodhur për dekada me radhë, Zhani Ciko ka lënë gjurmë të thella në zemrat e njerëzve.
“Sot festojmë jo vetëm ditëlindjen tënde, por edhe një jetë të tërë të mbushur me muzikë, kulturë, dinjitet, pasion dhe përkushtim ndaj artit”, shkruan e motra, duke i uruar shëndet, energji dhe krijimtari të pashtershme të vëllait, i cili është një figurë e çmuar dhe e dashur për publikun.
“Të uroj shëndet, energji dhe krijimtari të pashtershme, (duke mos lënë më një anë humorin fin që të karakterizon) — ashtu siç i ke pasur gjithmonë, që nga fëmijëria e deri sot, kur flisnim për ëndrrat dhe jetën.
Gëzoj me krenari për ty që ja dole mbanë në çdo hap, shpesh me sakrifica, por me shumë arritje, realizime dhe suksese kudo ku ke punuar, duke marrë satisfaksionin e merituar plotësisht”, vijon mesazhi i Ekaterina Toskës për të vëllanë.
Maestro Zhani Ciko, një nga emrat që përfaqëson denjësisht muzikën klasike dhe një ndër artistët më fin në historinë e artit në Shqipëri, është i martuar me Rudina Cikon, pianiste dhe pedagoge në Akademinë e Arteve. Të dy, rrugëtojnë pranë njëri-tjetrit prej më shumë se 4 dekadash.
Lexoni urimin e saj të plotë për mjeshtrin Zhani Ciko:
Gëzuar 80-vjetorin, i dashur vëllai im Zhani!
Sot festojmë jo vetëm ditëlindjen tënde, por edhe një jetë të tërë të mbushur me muzikë, kulturë, dinjitet, pasion dhe përkushtim ndaj artit. Kontributi yt, vizioni profesional dhe puna jote e palodhur kanë lënë gjurmë të thella, jo vetëm në institucione, por edhe në zemrat e njerëzve që kanë pasur fatin të të njohin, duke të bërë një figurë të çmuar dhe të dashur për publikun.
Të uroj shëndet, energji dhe krijimtari të pashtershme, (duke mos lënë më një anë humorin fin që të karakterizon) — ashtu siç i ke pasur gjithmonë, që nga fëmijëria e deri sot, kur flisnim për ëndrrat dhe jetën. Gëzoj me krenari për ty që ja dole mbanë në çdo hap, shpesh me sakrifica, por me shumë arritje, realizime dhe suksese kudo ku ke punuar, duke marrë satisfaksionin e merituar plotësisht.
Urime nga zemra, vëlla i dashur! Të rrosh e të gëzosh edhe 100 vjet të tjera!




