Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se lahuta, një nga simbolikat më të lashta të identitetit dhe epikës shqiptare, është shpallur zyrtarisht pjesë e listës së UNESCO-s si pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të këtij instrumenti unik, i cili prej shekujsh është përdorur për të transmetuar këngët epike, legjendat dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve.
“🇦🇱 LAHUTA, PJESË E UNESCO-s ⭐️
🪕 Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente 🤝🇦🇱”, shkroi Rama, duke e cilësuar këtë vendim si një arritje të rëndësishme për promovimin dhe mbrojtjen e identitetit shqiptar.
Me këtë njohje ndërkombëtare, lahuta merr statusin e një pasurie që kërkon ruajtje, dokumentim dhe transmetim tek brezat e rinj, ndërsa pritet që institucionet kulturore të Shqipërisë të intensifikojnë përpjekjet për rigjallërimin e kësaj tradite të rrallë artistike.
Vendimi i UNESCO-s shihet si një hap i madh për mbrojtjen e traditave autoktone shqiptare dhe një vlerësim për komunitetet që e kanë mbajtur gjallë këtë art shekullor.




