E fundit! Merret vendimi i forte per Gjon Shkambin, xhaxhai i autorit të vr*sjes së gjyqtarit Astrit Kalaja

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja pasditen e 6 tetorit brenda sallës së gjyqit.

Vendimi i Apelit konfirmon masën e caktuar më herët nga shkalla e parë, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshim të masës së sigurisë.

Gjon Shkambi ndodhet nën hetim për rolin e dyshuar në ngjarjen e rëndë, që tronditi sistemin e drejtësisë.

Ngjarja e 6 tetorit solli reagime të shumta dhe ngriti shqetësime mbi sigurinë në ambientet gjyqësore.

Vrasja e Astrit Kalase ndodhi rreth orës 15:35 te 6 tetorit, gjatë një seance gjyqësore me objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore”, ku palë paditëse ishte shtetasi Ragip Kurtaj, i shoqëruar nga djali i tij Ervis Kurtaj ndërsa i paditur ishte përmbaruesi gjyqësor T. M. dhe palë të treta shtetasit Gjon Shkambi dhe nipi i tij Elvis Shkambi.

Lëvizjet e autorit dhe xhaxhait Gjon Shkambi

Rreth orës 13:42, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në ambientet e Gjykatës dhe kanë kaluar nëpërmjet pajisjes skanuese, e cila ka sinjalizuar prezencën e metaleve. Megjithatë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, nuk ka ndërhyrë për të kryer kontroll fizik, duke shkelur rregullat e sigurisë.

Dy orë më pas, në orën 15:35, sapo gjyqtari shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori një armë zjarri tip pistoletë dhe qëlloi disa herë drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Më pas, autori qëlloi edhe drejt babe e bir, Ragip e Ervis Kurtaj duke i plagosur të dy, por fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të dhënave hetimore, Gjon Shkambi, nuk bëri asnjë përpjekje për të ndaluar nipin e tij gjatë aktit kriminal, duke ngritur dyshime të arsyeshme se ishte në dijeni të planit për vrasjen e gjyqtarit dhe se ka luajtur rol ndihmës ose shtytës.

Pas të shtënave, Elvis Shkambi dorëzoi armën te një punonjës tjetër i gjykatës dhe u ndalua menjëherë në oborrin e institucionit nga shërbimet e policisë.

Akuzat

Elvis Shkambi 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

Gjon Shkambi 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

Banush Koxhaj 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;