Një shpërthim me tritiol ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Skandërbeg” në qytetin e Shkodrës.
Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një biznesi që merrej me prodhimin e reklamave në pronësi të shtetasit Lulzim Mehmeti. Në reagimin e policisë u bë me dije se nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme material.
Burime për media kanë bërë me dije se kamerat e sigurisë në zonë kanë fiksuar dy persona, të veshur me kapuçë dhe me fytyra të mbuluara, të dyshuar si autorët e ngjarjes. Pasi kanë vendosur lëndën plasëse, ata janë larguar me motor.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, drejtori i Policisë së Shkodrës Gent Berberi si dhe vetë pronari i biznesit. Ndërkohë hetimet vijojnë për zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 22:20, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve“, tha policia.




