Ambasada Amerikane e ka ‘zgjedhur’ kush do e zëvendësojë Altin Dumanin? Ja mesazhet e fshehta që askush si kuptoi

Nesër Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të zgjedhur kreun e ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) pas përfundimit të mandatit 3-vjeçar të Altin Dumanit më 16 dhjetor.

Duke pasur parasysh angazhimin e lartë të ndërkombëtareve si dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në raport bashkëpunimi me SPAK, në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane që prej shtatorit shihet një ‘prezencë’ e shtuar e prokurorit Klodian Braho në fotografitë e shkrepura gjatë takimeve me zyrtarë të DASH.

Klodjan Braho është një prej 4 prokurorëve të posaçëm që garojnë për postin e Dumanit. Ndryshe kjo mund të kuptohet si një “reklamë” që ndërkombëtarët po i bëjnë Brahos në procesin e zgjedhjes duke i vënë epitetin si “ i preferuari” i SHBA-ve.

Elvin Gogaj, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho janë 4 prokurorët e SPAK që kanë dorëzuar aplikim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si kandidat për postin e kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi.