Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati, ishte i pranishëm këtë të enjte gjatë gjithë procesit në KLP ku Klodian Braho u votua si kreu i SPAK ndërsa duke folur në “Now me Erla Mëhillin”, tregoi një episod interesant gjatë numerimit të votave, ku shpjegoi reagimin e një ambasadori.
“Ajo që më ra në sy ishte momenti kulminant i votimit. Isha aty kur u votua dhe, për rastësi, votat e para u ndanë mes dy kandidatëve dhe ishin: Braho – Xholi, 3 me 3 dhe dukej sikur po shkonim drejt një balotazhi, por menjëherë pas numërimit të votës së gjashtë, votat e tjera ishin për zotin Braho: 4 me 3, 5 me 3, 6 me 3 – gjithmonë për Brahon. Në këtë moment, kur u votua, është aritmetikë e thjeshtë: një nga ambasadorët aty, gati sa nuk nxori bërrylin, duke i dhënë shenjë një ambasadori tjetër se punë e kryer, misioni u krye. Nuk e kam lexuar, isha dëshmitar okular aty dhe e pashë vetë këtë episod jashtë syrit të kamerave,” tha gazetari Ferhati.




