Shumica e njerëzve nënqeshin përballë magjisë. Dikush e konsideron çmenduri, dikush tjetër bën shaka me rrëfenja të tilla, por ka edhe nga ata që e marrin tepër seriozisht, madje aq sa frikësohen. Dhe sa herë që gjërat nuk i ecin siç duhet, dyshimi i parë është se dikush “u ka bërë keq”.
Dhe siç të gjithë e dimë, thuajse gjithmonë ato që bëjnë keq me magjitë e tyre janë femrat…
Për këtë arsye jemi sonte në Zvirinë të Korçës. Kemi bërë 145 kilometra për të zgjidhur një konflikt që po degradon çdo ditë e më shumë mes kushërinjve, një konflikt që, në mënyrën më absurde, ka nisur nga… magjia. Një magji aq e fuqishme, sa të bën të përplasesh me makinë dhe, mbi të gjitha, të mbetesh beqar.
Personazhi kryesor i kësaj historie me magji dhe demonë është Ana. Mos e shikoni kështu të qetë dhe gazmore, sepse Ana është “magjistarja” më e famshme e zonës, e cila jo vetëm paska lënë një 27-vjeçar pa martuar, por për më tepër, sipas akuzave, me forcën e saj djallëzore paska shkaktuar edhe një aksident — edhe pse fizikisht ishte shumë larg vendngjarjes.
Si ndodh shpesh, familja që mendon se i kanë bërë magji shkon tek fallxhorja, dhe filxhani ka nxjerrë një “A”. Kushërinjtë kanë drejtuar menjëherë gishtin tek A-ja më potenciale e zonës. Por akuzat se “po lë djemtë pa martuar” nuk mbarojnë këtu, pasi Ana po përballet edhe me presione e kërcënime nga kushërinjtë, përfshirë edhe burrat — duke krijuar probleme serioze për fëmijët e vegjël të saj.
Ndaj le t’i përvishemi punës për të hequr magjinë e zezë që, sipas familjes, e ka lidhur Kostën. Por më parë duhet të kuptojmë llojin e magjisë. Çdo përpjekje e jona rezultoi e kotë, pasi nëna e 27-vjeçarit, zonja Lumturie, ishte e bindur se Ana i ka bërë magji, e para, për ta bërë të aksidentohej; e dyta, për ta lënë pa martuar. Dhe e gjitha kjo histori e çuditshme ka nisur… nga tre kokrra vezë të gjetura në arën e familjes së kushëririt./PIRANJAT




