Partia Demokratike festoi mbrëmjen e së enjtes ditëlindjen e 35-të, në një aktivitet që mblodhi në selinë blu deputetë e demokratë.
Kjo ditëlindje e gjeti këtë forcë politike të copëtuar edhe pas katër humbjeve të njëpasnjëshme elektorale, duke kërkuar nevojën për ripërtëritje dhe një strategji të re për të ardhmen.
Gjatë këtij aktiviteti lideri historik i të djathtëve, Sali Berisha u pa i emocionuar dhe i përlotur, teksa rikujtoi më pas rrugëtimin e gjatë dhe sfidat që kjo parti ka kaluar.

Ndërsa festa zhvillohej në seli, deputeti Ervin Salianji vazhdoi takimet e tij me demokratët, këtë herë në Gjirokastër, ku salla ishte e mbushur plot. Përmes një postim në rrjetet sociale ai së fundmi ka nënvizuar rëndësinë e energjisë së re dhe idesë për një ndryshim të domosdoshëm brenda partisë, duke theksuar se vendit i duhet rotacion, shpresë dhe normalitet.

Ai thekson se Partia Demokratike ka fuqinë për të ofruar një alternativë të besueshme, moderne dhe fituese, por për këtë është i domosdoshëm ndryshimi i brendshëm dhe mobilizimi i strukturave për t’u bërë një forcë fituese.
“Takim i jashtëzakonshëm me demokratët e Gjirokastrës. Shqipëria e sotme ka një pritshmëri të qartë: të shohë Partinë Demokratike që shkon drejt së ardhmes, që ofron energji të re, ide të reja dhe garanci për fitore. Vendit i duhet rotacion, i duhet shpresë, i duhet normalitet!
Partia Demokratike ka fuqinë për të bërë realitet këtë pritshmëri. Mirëpo për këtë duhet ndryshim!
Shqipëria pret një alternativë të besueshme, moderne, të hapur, fituese. Dhe koha për ta ndërtuar këtë është tani. Partia Demokratike ka detyrimin të bëhet forcë fituese. Mirënjohje nga thellësia e zemrës për shumicën dërrmuese të kryesisë e drejtuesve të strukturës që ishin aty dhe për çdo demokrat të Gjirokastrës”, shkruan Salianji.




