Mbledhja e sotme e Kryesisë së Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta dhe tone të larta mes drejtuesve të partisë, duke nxjerrë në pah përplasjet e brendshme në një moment të tensionuar politik.
Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, në qendër të debatit kanë qenë Flamur Noka dhe Ervin Salianji, në prani edhe të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Përplasjet kanë qenë të drejtpërdrejta dhe të ashpra, me akuza të ndërsjella mes palëve.
Mësohet se Flamur Noka i është drejtuar Salianjit me akuza të forta, duke i thënë se veprimet e tij “po u shërbejnë atyre që i kanë përballë”.
Nga ana tjetër, Ervin Salianji ka reaguar ashpër, duke i kërkuar Nokës dorëheqjen. “Jep dorëheqjen Flamur, e ke shkatërruar partinë dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”, mësohet të ketë thënë Salianji gjatë debatit.
Burimet bëjnë me dije se tonet në mbledhje kanë qenë mjaft të larta dhe debatet të ashpra, ndërsa përplasjet kanë vijuar edhe pas këtij momenti. Në një tjetër reagim, Salianji është shprehur se vëmendja e Kryesisë po devijohet nga beteja politike me qeverinë.
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, citohet të ketë deklaruar ai.
Burimet bëjnë me dije se tonet në mbledhje kanë qenë mjaft të larta dhe debatet shumë të forta, ndërsa mbledhja vijon ende. Deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga drejtuesit e Partisë Demokratike lidhur me përplasjet e ndodhura.


