Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ku tha se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë shkuar në ambientet e Kryeministrisë.
Berisha u shpreh se këtë fakt e ka denoncuar edhe më herët, duke theksuar se oficerët e BKH janë paraqitur në godinën e Ramës për të sekuestruar dokumente që lidhen me veprimtari kriminale.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij në Facebook, kreu i PD deklaroi gjithashtu se Rama i ka penguar oficerët e BKH dhe i ka detyruar të çarmatosen, pasi kishte frikë se mos e arrestonin.
““Rama i ka penguar, unë e kam denoncuar bllokimin që i bëri oficerëve të BKH për të konfiskuar dokumente krimi. Kur kanë shkuar herën tjetër, Rama ka kërkuar çarmatosjen e tyre. Ai vuan nga fobira. Ai ka menduar për shkak të atyre që ka bërë mund ta arrestonin dhe i ka deklaruar të lënë sic thotë ai patllaket, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë”, u shpreh Berisha.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te çështja e tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se kryeministri Rama është më i përfshirë në këtë aferë sesa zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Sipas tij, Rama ka vepruar në bashkëpunim me drejtuesin e ARRSH-së për çështjen e tenderit dhe po përpiqet të mbrojë veten.
“Nëse Lubi Balluku është bërë e qartë në tunelin e Llogarasë ka vepruar me kreun e ARRSH për tenderin, Rama është shumë më i lidhur në këtë aferë sesa Lubi Balluku. Rama e ka marrë Lubinë dhe e ka çuar në Ankara. Rama në fakt po mbron vetëm veten e tij”, tha Berisha.
Rama konfirmon se agjentët e BKH kanë kryer kontroll në Kryeministri; përplasje me Gardën për dorëzimin e armëve…
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pak ditë më parë kanë mësyrë në Kryeministri.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili në podkastin “Flasim” ka rikthyer sulmet ndaj organeve të drejtësisë. Por në një moment ai ka sulmuar edhe BKH, teksa ka konfirmuar atë që është folur nën rrogoz, se agjentët kanë ushtruar kontroll edhe në godinën e drejtuar prej tij.
Madje ka pasur dhe përplasje me Gardën, pasi agjentët nuk kanë dashur të dorëzojnë armët te dera e Kryeministrisë.
“Një shprehje e urtë italiane thotë: due indizi non fanno una prova. Dy indicie nuk përbëjnë një provë; çka sot, në fakt, po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbëjnë jo një provë, por dy dënime. Por unë nuk do të ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, por do të mbetem te bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ata janë ligji, ata janë drejtësia, siç vunë re ca trimosha të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, por kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin të linin patllaken te dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, tha Rama.
Nuk dihet se përse agjentët kanë shkuar në Kryeministri dhe nëse ka lidhje me dosjen “Balluku”, apo nëse SPAK po godet në nivelin më të lartë të qeverisjes. Rama sot shprehu fjalët më të mira për Klodian Brahon, por duket se diçka e shqetëson Bablokun dhe gojët e liga flasin se steka e SPAK mund të kapë majat.
“Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive dhe sëmundjeve të vjetra e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pista, në një proces historik ku duhet të garantojmë me domos suksesin e reformës në drejtësi. Duhet të garantojmë me domos pavarësinë e gjyqësorit, por ku po ashtu nuk mundet kurrsesi të lejojmë me domos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës dhe të ekonomisë së vendit”, tha Rama më tej.
Nuk dihet ende se çfarë dokumentesh ka sekuestruar BKH, por fakti që agjentët kanë arritur të trokasin në derën e Ramës është padyshim një zhvillim i bujshëm dhe një tregues se mund të ketë zhvillime në ditët në vijim. /Pamfleti




