“Deti për të shpëtuar kokën?” – LAPSI.al: Rama tërhiqet nga Haga dhe dërgon Spiropalin ‘kokëulur’ në Athinë,

Nga Dorian Kodra

Kthimi i Shqipërisë në bisedimet politike për kufirin detar me Greqinë ndodh në një moment kur qeveritë e dy vendeve takohen në pozicione asimetrike. Aq të thella janë diferencat sa argumentat në tryezë rrezikojnë të kalojnë në plan të dytë në formati që; s’ka rëndësi çfarë negociohet, por se kush qëndron në pozita force dhe kush në pozita të dobëta. Udhëtimi i 16 dhjetorit i ministres së Jashtme Elisa Spiropali drejt Athinës hyn pikërisht në këtë kategori.

Në tryezën e bisedimeve me homologun grek Giorgos Gerapetritis, sipas mediave greke, në krye të agjendës do të jetë rihapja e negociatave për kufirin detar, pra për delimitimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive. Në titullin me shkrimin “Një udhërrëfyes i ri me Tiranën” media greke To Vima shkruante se “në krye të axhendës së takimit të dy ministrave të jashtëm do të jenë diskutimet për delimitimin e ZEE”, duke shtuar se kjo po ndodh “në një moment të ri, në sfondin e projekteve aktuale dhe të ardhshme energjitike”.

Spiropali për “TA NEA”: Po vij në Athinë për të diskutuar gjithçka

Mbetet ende në pikëpyetje fakti nëse qeveria shqiptare është tërhequr nga pozicioni, me të cilin ishte rënë dakort me Greqinë, që çështja e kufirit detar do të vendosej nga Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku palët do të uleshin formalisht të barabarta.

Megjithatë udhëtimi i Spiropali drejt një tryeze negociatash të rihapura, me një axhendë të imponuar në Athinë është sinjal se qëndrimi i Shqipërisë tashmë ka ndryshuar. Dhe kjo nuk është rastësi.

Athina rihyn në negociata e fuqizuar nga një rol i ri strategjik në politikën energjitike amerikane, pasi është shndërruar në portën hyrëse të gazit të lëngshëm të SHBA drejt Europës Lindore. Nga ana tjetër Tirana hyn e dobësuar nga një krizë e thellë e brendshme politike dhe institucionale, nën presionin e drejtësisë së mbështetur fort nga SHBA.

Më shumë se një qeveri e fortë që mund të përfaqësojë denjësisht interesat e Shqipërisë jashtë vendit, për momentin kjo e Edi Ramës sot i ngjan një trupe të dëshpëruar, nën presionin e provave të korrupsionit dhe të vjedhjeve skandaloze, që kanë dalë hapur tashmë. Dhe këtu është pikënisja e problemit.

Greqia, pika kyçe e projekteve energjitike amerikane

Për të kuptuar pse Athina sot negocion nga një pozicion shumë më i fortë se disa vite më parë, duhet parë roli i ri që Greqia ka marrë në politikën energjitike të SHBA dhe të Europës. Në muajt e fundit, zhvillimet kanë qenë të shpejta.

Për administratën e re amerikane, energjia është shndërruar në instrument shumë të rëndësishëm të politikës së jashtme.

Shprehja “Drill, baby, drill” një slogan elektoral i Donald Trump, paralajmëronte një politikë të re ekonomike; me rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit brenda SHBA dhe tek aleatët, pa u kufizuar nga objektivat klimatike, për të siguruar fuqi ekonomike, pavarësi energjetike nga Rusia dhe epërsi gjeopolitike. SHBA synon të zëvendësojë gazin rus në Europë “deri në molekulën e fundit”, siç e formulojnë vetë zyrtarët amerikan.

“Takimi dyditor i Bashkëpunimit Transatlantik për Energjinë (P-TEC) në Athinë u hap me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes ExxonMobil, Energean dhe Hellenic Energy, e cila i jep ExxonMobilit një pjesëmarrje prej 60 për qind në bllokun detar grek ‘Ionio 2’.”
“Takimi dyditor i Bashkëpunimit Transatlantik për Energjinë (P-TEC) në Athinë, ku u nënshkrua një marrëveshje mes ExxonMobil, Energean dhe Hellenic Energy, e cila i jep ExxonMobilit një pjesë prej 60 për qind në bllokun detar grek ‘Joni 2’

Sekretari amerikan i Energjisë Chris Wright e artikuloi këtë pa asnjë ekuivok në Athinë, gjatë vizitës kur u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme, kur deklaroi: “Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të zëvendësuar gjithë gazin rus, të gjithë, deri në molekulën e fundit, nga Europa Perëndimore”

Në këtë skemë, Greqia është shndërruar në portën kryesore të hyrjes së gazit të lëngshëm amerikan në Europë përmes dy porteve strategjike, Revithoussa dhe Alexandroupoli.

Revithoussa, terminali ekzistues LNG pranë Athinës, pas vitit 2022 u zgjerua dhe u vu në funksion jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport drejt Ballkanit, kryesisht Bullgarisë.

njësinë lundruese të magazinimit dhe rigazifikimit të gazit të lëngshëm (LNG) ‘Alexandroupolis’, pranë portit të Alexandroupolit, Greqi, 1 tetor 2024. Gastrade/Handout përmes REUTERS.”
njësinë lundruese të magazinimit dhe rigazifikimit të gazit të lëngshëm (LNG) ‘Alexandroupolis’, pranë portit të Alexandroupolit, Greqi, 1 tetor 2024. Gastrade/Handout përmes REUTERS.”

Ndërkohë, më 2023 hyri në fazë operative edhe terminali lundrues LNG i Alexandroupolit, një projekt kyç që u mbështet drejtpërdrejt nga SHBA dhe BE, si pjesë e planit për të zëvendësuar gazin rus në Europën Lindore.

Më 2024 dhe 2025, Greqia nënshkroi marrëveshje afatgjata për importin e gazit të lëngshëm amerikan, përfshirë kontrata 20 vjeçare që nga viti 2030 për rreth 700 milion metra kub gaz në vit, duke u pozicionuar si nyje tranziti për korridorin vertikal të gazit, që lidh Greqinë me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo e ka kthyer Athinën nga një konsumator periferik në shpërndarës rajonal, duke i dhënë një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë energjetike të Europës Juglindore.

Rëndësia politike e këtyre zhvillimeve është thelbësore. Me dy porte funksionale LNG dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane, Greqia ka fituar peshë gjeopolitike, ndikim në Bashkimin Europian dhe në marrëdhëniet me fqinjët.

Energjetika i ka dhënë Athinës statusin e partnerit strategjik të SHBA në rajon, duke e forcuar ndjeshëm pozicionin e saj negociues në çdo çështje dypalëshe, përfshirë edhe ato që formalisht nuk lidhen me energjinë, si kufijtë detarë dhe marrëdhëniet politike në Ballkan.

Sekretari amerikan i energjisë Chris Wright, pas firmosjes së marrëveshjes me Mitsotakis në nëntor, e përshkroi këtë ndryshim historik me një fjali shumë domethënëse: “Greqia ishte në fund të një sistemi furnizimi energjetik të dominuar nga Rusia. Sot, Greqia bëhet pikë nisjeje, porta hyrëse e energjisë amerikane në Europë.”

Nga Aleksandropulos në Odesa, korridori i ri i gazit për Europën
Nga Aleksandropulos në Odesa, korridori i ri i gazit për Europën

Po ashtu, projekti i të ashtuquajturit “Korridori vetikal i gazit”, që nis nga brigjet greke dhe shtrihet drejt Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës, e vendos Athinën në qendër të një arkitekture të re sigurie energjetike europiane.

Në praktikë, kjo e bën Greqinë një partnere akoma më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe një faktor që Bashkimi Europian nuk mund ta anashkalojë. Dhe një vend që është kaq i rëndësishëm për SHBA dhe BE, e shfrytëzon momentin për të negociuar ndryshe me fqinjët e vegjël.

Gjigandi amerikan ExxonMobil nis kërkimet për gaz në detin Jon

Në këtë kontekst, hyrja e ExxonMobil në detin Jon dhe marrëveshja për kërkimet e gazit në bllokun “Joni 2” e ndryshon rrënjësisht lojën. ExxonMobil është një aktor me buxhete gjigande, që historikisht ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e politikave energjitike amerikane.

Në fillim të muajit nëntor, ExxonMobil ka nënshkruar marrëveshjen për kërkime gazi në ujërat perëndimore të Greqisë, duke marrë 60 për qind të aksioneve në një bllok detar, në partneritet me Energean dhe Helleniq Energy. Investimi fillestar llogaritet nga 50 deri në 100 milionë dollarë, ndërsa shpimet e para priten në fund të vitit 2026 ose fillim të 2027.

Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle në nënshkrimin e marrëveshjes mes kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis dhe presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenski
Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle në nënshkrimin e marrëveshjes mes kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis dhe presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenski për gazin amerikan

Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, një ish prezantuese e Fox që ka nxitur fort për marrëveshjet energjitike të Greqisë me SHBA dhe Ukrainën, e shpalli këtë hap me një fjali simbolike: “Amerika është kthyer dhe po nis kërkimet në detin Jon.”

Kjo do të thotë se aty ku kompania ExxonMobil nis aktivitetin tregtar dhe investon dollarët e saj, SHBA ka interes të drejtpërdrejtë. Dhe aty ku SHBA ka interes të drejtpërdrejtë, kufijtë duhet të jenë të qartë, me stabilitet të garantuar dhe pa surpriza politike. Kjo e forcon automatikisht pozicionin grek në çdo diskutim për kufijtë detarë në rajon. Investimet shumë miliardëshe amerikane nuk mund të investohen në terren të paqartë.

Negociatat me Shqipërinë, nëpërmjet një qeverie të hetuar nga SPAK

Në anën tjetër të tryezës është Shqipëria, qeveria e të cilës është nën presionin e fortë të drejtësisë së re. Që SPAK dhe GJKKO janë të mbështetura fort nga SHBA, ky nuk është një sekret.

Kronologjia/ 23 ditët që e kthyen Ramën në ushtar të Ballukut

Dy zyrtarë të lartë amerikanë që së fundmi kanë vizituar Tiranën nuk kanë preferuar të trokasin në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Mark Fleming në zyrat e SPAK
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Mark Fleming në zyrat e SPAK

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Marc Fleming dhe zëvendësi i tij Lyn Debevoise erdhën në Tiranë dhe kërkuan posaçërisht të vizitojnë SPAK-un, për të theksuar fort partneritetin me prokurorët shqiptarë që kanë në duar dosje të nxehta të korrupsionit qeveritar.

Hetimet për Belinda Ballukun, mesazhet kompromentuese në celularët e saj, pezullimi nga detyra i zv.kryeministres, përplasja me Gjykatën Kushtetuese dhe lufta e hapur e kryeministrit me gjyqësorin kanë krijuar një klimë konfrontuese mes institucioneve.

Shefi i ri i SPAK, prokurori i ambasadorëve

Kthesa e SPAK në hetimet për zv.kryeministren Belinda Balluku ishte e menjëhershme. Për herë të parë, hetimet u shtrinë përtej një vije të kuqe të vizatuar po nga amerikanët dhe që kishte shërbyer si mburojë për kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë, hetimi dhe më pas masa e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra u lexua si një kërcënim i drejtpërdrejtë për postin e Ramës në kryeministri.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara jo vetëm i nxitën prokurorët të vazhdojnë me hetimin, por mesazhet që mbërritën nga Departamenti i Shtetit ishin të forta, si për të treguar se koha e përkëdheljeve amerikane për qeveritarët shqiptarë tashmë kanë marrë fund.

I tillë ishte mesazhi i Donald Trump për festën e pavarësisë në 28 Nëntor, që bashkë me urimet përmendte kërkesën për të luftuar kundër organizatave kriminale. Po aq i drejtpërdrejtë ishte edhe mesazhi i sekretarit të Shtetit Marco Rubio në të njëjtën ditë, në festën e flamurit.

Washingtoni i kujton Ramës kartelet e drogës në Ditën e Flamurit

Me tone paralajmëruese, Marco Rubio kërkonte luftë ndaj karteleve të trafikut të drogës dhe ndaj bandave të trafikut transnacional. Mesazhet qenë të paprecedenta për asnjë vend tjetër të rajonit.

Oferta e humbur amerikane për Shqipërinë

Duhet thënë se Shqipëria ishte e para që mori ofertën për të qenë nyje energjitike e gazit të lëngshëm amerikan në Evropë.

Në vitin 2021, Belinda Balluku udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe firmosi në Houston me Exxon Mobil dhe Excelerate Energy një memorandum mirëkuptimi.

Marrëveshja do të përmbante 3 pika kryesore: 1) futjen e gazit të lëngshëm (LNG) në Shqipëri, 2) konvertimin e TEC-it të Vlorës që të punojë me këtë gaz dhe 3) ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e gazit, duke shndërruar Vlorën në një treg rajonal.

Belinda Balluku në zyrat e ExxonMobil në Houston, SHBA
Belinda Balluku në zyrat e ExxonMobil në Houston, SHBA

Mes qeverisë shqiptare dhe zyrtarëve të lartë të ExxonMobil u zhvillua edhe një bisedë në Zoom, me ndërmjetësimin e ambasadores amerikane Yuri Kim. (VIDEO KETU)

Ideja e kompanisë amerikane dhe dëshira e ambasadores Yuri Kim ishte që TEC-in e Vlorës në një nyjë strategjike të gazit amerikan për Ballkanin, me terminalin LNG që do ta shndërronte Vlorën “në portin rajonal të gazit”.

Në takimin online me përfaqësues të Exxon Mobil në mars të 2021, Rama shprehej: “Sot për Shqipërinë nis epoka e artë e gazit. Nuk do të ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim.” Ndërsa Balluku shtonte: “Kjo është një marrëveshje historike që do ta bëjë Vlorën port rajonal të gazit.”

Nuk dihet pse, por gjërat nuk ecën siç ishin parashikuar. Ndoshta për mungesë të kapaciteteve, ndoshta për shkak të një administrate thellësisht të korruptuar, Shqipëria humbi shansin të ishte partnerja e dëshiruar e SHBA për energjinë.

Katër vite më vonë, TEC-i nuk punon, terminal nuk ka, asnjë metër kub gaz i lngëshëm nuk ka hyrë në vendin tonë, dhe Shqipëria është zhdukur nga harta e projekteve rajonale që financohen e drejtohen nga amerikanët.
Exxon Mobil zgjodhi Athinën firmos për kërkimet e para të këtij lloji pas 40 vitesh në ujërat greke, duke tejkaluar pakënaqësitë e së shkuarës mes dy vendeve.

Negociatat për kufirin detar, një formalitet?

Kuptohet se një qeveri e intimiduar nga hetimet si kjo e Edi Ramës është në kërkim të qetësisë. Jo më kot, Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, është gati të udhëtojë kokëulur drejt Athinës për të negociuar edhe një herë kufirin detar.

Në këtë kontekst duhen parë edhe fakti që, sapo ishte marrë e pandehur për korrupsionin tek tuneli i Llogarasë në fillim të nëntorit, Belinda Balluku u shfaq në Athinë në ceremoninë e kompanive amerikane për kërkime në detin Jon. Ishte udhëtimi i saj i fundit jashtë vendit, para se GJKKO t’i bllokonte pasaportën.

Belinda në Athinë/ “E pandehura”, që feston fitoren e Greqisë në projektet e gazit

Të legenosur nga aferat korrupsionit dhe të shtrënguar nga darët e një drejtësie që u ka dalë nga duart, qeveritarët shqiptarë janë më të dobët se kurrë. Dhe dobësia, në marrëdhënie me të huajt, gjithmonë paguhet.

Në fund, kufiri detar mund të jetë një kompromis i mirë politik duke parë rrethanat. Por kompromiset e diktuara nga frika dhe presionet s’mund t’i shërbejnë interesit kombëtar./Lapsi.al