I ftuar këtë të dielë në “Interview” me moderatoren Mirela Milori në Euronews Albania ka qenë gazetari dhe moderatori i njohur Ylli Rakipi. Rakipi ka folur për karrierën e tij dhe për intervistat me politikanë të njohur. Ai është ndalur te intervistat me Berishën dhe Ramën duke komentuar zhvillimet.
“E kam pasur shpesh të vështirë të intervistoj politikanët. Për shembull, Sali Berisha thotë vetëm atë që do ai, vetëm ato që do ai. Edhe kemi bërë një kompromis ku i kam thënë: ‘Unë do të pyes, ti përgjigju.’ Po mos kini merak se doktori ka punën e tij. Ndërsa Flamurin e toleroja, në atë masë që thoshte çfarë të donte, edhe herën e fundit i thashë: ‘Unë po zbres poshtë, po pi një kafe dhe kur të mbarosh po vij të vazhdojmë.’”- tha Rakipi.
Më tej, Rakipi ka folur edhe për Ramën dhe një intervistë të njohur.
“Rama ka intervista interesante, sepse ai harron që është Kryeministër. I thërret, mos t’i përmendim emrat e kolegëve, i ul aty dhe gazetarët. I bën ato fasadat që i bën më mirë se çdo njeri, edhe në BE, edhe në Amerikë. Në intervistat e tjera, Rama zbret dhe është shumë i vërtetë.
Ikën nga Kryeministri, e zhvesh petkun e Kryeministrit dhe shkon dhe harron. Edhe atë moment më thotë mua batutën: ‘Banda, banda, banda.’ Po i thashë: ‘Ju jeni tre banda, banda e Berishës, banda e Metës dhe banda juaj.’”- tha Rakipi.




