Ndërsa SPAK dërgon shkresë për arrestimin e Belinda Ballukut dhe Kuvendi bën sikur po e lexon me syze pa numër, populli ka dalë me zgjidhjen e vet madhore: problemi nuk është a do arrestohet, por kush do guxojë ta arrestojë?
Debati ka shpërthyer në rrjete dhe kafenetë e lagjeve. Një palë thonë se duhet një police bjonde, e rregullt, me jelek antiplumb të pastër, që ta shoqërojë me qetësi e buzëqeshje drejt “burgut të zi”, që të duket arrestim modern, europian, Instagram-ready.
Pala tjetër ngul këmbë se jo, Belinda nuk është punë për police seksi. Duhet një polic trupmadh, me barkun përpara, mustaqe të stilit shekulli XIX dhe ecje që tund tokën, që vetëm kur shfaqet të mbyllet dera vetë.
Dhe këtu debati merr kthesë serioze, si çdo muhabet shqiptar që nis me shaka dhe mbaron te “janë vjedhur miliarda”.
Sepse ndërsa populli grindet nëse arrestimi duhet bërë me buzëqeshje europiane apo me zë autoritar ballkanik, akuzat rrinë aty, të rënda si beton: abuzime, tenderë, kontrata, miliona që s’mbahen mend dhe miliarda që i di vetëm letra. SPAK flet për dosje, procedime dhe prova, ndërsa publiku i përkthen thjesht: “janë zhdukur lekët”.
Disa thonë se Belinda nuk arrestohet si gjithë të tjerët, se ka “peshë politike”. Të tjerë kujtojnë se pikërisht për këtë arsye duhet arrestuar, që të kuptohet se ligji nuk peshon me peshore partie. Por debati, besnik ndaj traditës, kthehet sërish te forma, jo te përmbajtja.
Në fund të fundit, pyetja që mbetet nuk është më kush do ta arrestojë Belindën, por nëse gjithë kjo zhurmë do të çojë ndonjëherë te qelia, apo do mbetet, si zakonisht, një shfaqje e gjatë ku flitet për policë, pamje dhe autoritet, ndërsa miliardat vazhdojnë të mos gjenden askund./JOQ ALBANIA




