Adriatik Lapaj dhe dhjetëra qytetarë të tjerë kanë rreth 8 ditë dhe netë që rezistojnë përballë Kryeministrisë, duke qëndruar 24 orë dhe duke fjetur në bulevard. Sot ai njoftoi një grumbullim masiv për një protestë më të madhe, e planifikuar për të shtunën në orën 20:00.
Posteri që publikoi sot Lapaj ishte ndryshe nga posterat që kemi parë zakonisht në politikën shqiptare. Aty fshihen dy mesazhe, të cilat duket se nuk vijnë nga Shqipëria, por nga Administrata Trump në SHBA.
Mos vallë kjo është një lëvizje e koordinuar me amerikanët? Janë dy detaje të qarta që e dëshmojnë këtë:
Në poster, shfaqet Edi Rama i cili ka kaluar “vijën e kuqe”. Të gjithë e dimë mesazhin e kësaj simbolike. Donald Trump i ka shpallur luftë çdo qeverie e cila është e lidhur me narkotrafikun. Kjo është vija e kuqe e vendosur nga administrata Trump prej disa muajsh dhe ky paralajmërim është bërë publik në çdo konferencë për shtyp.
Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shkroi një urim për popullin shqiptar për 28 Nëntorin, por bëri edhe një veprim të jashtëzakonshëm dhe të çuditshëm. Nga 4 paragrafe, 3 prej tyre nuk kishin lidhje me festën tonë të pavarësisë, por me një paralajmërim të qartë se administrata Trump do të luftojë kartelet e drogës në Shqipëri. Mesazhi ishte i qartë. Madje, dukej si kërcënim.
Nuk është rastësi që Lapaj publikoi këtë poster sot, pikërisht në ditën kur u dha një urdhër arresti për Ergys Agasin, njeriun e Ramës që shërben si koordinator për grupet e narkotrafikut në Shqipëri. Në politikë asgjë nuk është rastësi. Amerikanët po japin mesazhet e tyre.
Së dyti, në posterin e Lapajt është shkruar një fjali e shkurtër: “You’re fired!” Duket se ky është një mesazh tipik i amerikanëve për Ramën. Kjo fjali është shprehja e bujshme e thënë posaçërisht nga Donald Trump prej shumë vitesh. Madje, me këtë shprehje ai u bë shumë popullor në Amerikë me një program televiziv, ku thoshte “You’re fired!” kundrejt çdo njeriu që dështonte të tregonte sesa vlen.
Sherifi amerikan ka zbarkuar në qytet dhe po jep mesazhet finale kundër Edi Ramës. Protesta e Lapajt duket se është metoda e amerikanëve për të dhënë sinjalet e fundit të rrëzimit të qeverisë.


