Sali Berisha, duke komentuar aksionin e SPAK të ndërmarrë mëngjesin e sotëm në AKSHI, ku lëshoi disa masa sigurie, tha se nuk flitet asnjë fjalë për Daniel Shimës, ish zëvendës drejtor i këtij institucioni që u zhduk për disa orë kohë më parë.
Kreu i PD-së thotë se pas rrëmbimit të tij qëndron Suel Çela, ndërsa akuzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda se e solli Çelën në Tiranë te dentisti që donte ai.
“Unë që jam këtu e kam marrë mesh se Agasi të paktën prej 3 javësh është në arrati. Që ky Ermal Beqiri është në Dubai me Ergysin, këto kanë qenë publike. Kam mësuar se ai Gerondi, ishte në mos gaboj në Gjermani dhe ka rrëfyer të gjithë çfarë ka ndodhur në atë agjenci. Pra, çfarë them unë. Ke dëgjuar një fjalë të vetme të thuhet për Daniel Shimën, njeriu që u rrëmbye e masakrua. Dhe fill pas kësaj drejtori i policisë Proda sjell Suelin në Tiranë te dentisti që donte ai. Sueli që i kishte thyer kockat Danielit, kjo është denoncuar.”, tha Berisha.
Ai shtoi se për Shimën nuk e morën dhe e futën në një makinë te rruga e Elbasanit dhe më pas e çuan drejt bodrumeve të Suel Çelës. Sipas tij, e dhunuan dhe e kthyen në shtëpi. Nga ajo ditë, thotë Berisha, Shimën nuk e ka parë më askush dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.
“E morën e futën në makinë, e nisën nga Rruga e Elbasanit, e futën tek Qyteti Studenti dhe më pas vazhduan rrugën drejt e në podrumet e Suel Çelës. Aty urdhri ishte ta groposnin, por urdhri ndryshoi sapo u mor vesh që ky ka dërguar mesazhin që po më rrëmbejnë. E shtruan në dru, ja thyen kockat dhe e sollën gjysmë të vdekur në shtëpinë e tij. Nga ajo ditë deri më sot Danielin nuk e ka takuar askush. Është gjallë apo jo askush nuk e di. Për fatin e Danielit nuk dihet, jeton apo nuk jeton. Një gjë dihet që ai u shkarkua nga ndrikulla, pasi ajo u kthye nga Skapi.”, u shpreh ai.




